Prokuroria nis hetimet për rastin e vdekjes në Qendrën e Studentëve

Prokuroria Themelore në Prishtinë, përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se ka filluar ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore për zbardhjen e plotë të rastit të vdekjes së 26 vjeçarit në Qendrën e Studentëve në Prishtinë.

Marketing

Më 3 maj, një person ka vdekur, duke u hedhur nga katet e larta, të njërit prej konvikteve të Qendrës së Studentëve në Prishtinë.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia, përmes një konference për media ka kërkuar nga Prokuroria e Shtetit që të vendos në prioritetet e saj hetimin e rastit të kësaj vdekje.

Vitia ka thënë se do të ushtrohen të gjitha përgjegjësitë institucionale dhe e do të zbardhet çdo e dhënë e lidhur me këtë rast.

Zbardhjen e shpejt të këtij rasti e kanë kërkuar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Në bazë të një vendimi të institucioneve të Kosovës, Qendra e Studentëve në Prishtinë është shëndruar në karantinë për personat që hyjnë në Kosovë.

Ky vendim është marrë në kuadër të masave për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri.