Izolimi ndaj koronavirusit ka bërë që 122 milionë indianë të humbin punën në muajin prill, tregojnë të dhënat e Qendrës për Monitorimin e Ekonomisë së Indisë.
Sipas saj, norma e papunësisë në Indi tani është 27.1 për qind.
Të dhënat e reja tregojnë se papunësia në Indi është katër herë më e madhe se në SHBA.
India nuk publikon të dhëna zyrtare për punën, por ato të Qendrës për Monitorimin e Ekonomisë janë gjerësisht të pranueshme.
India është futur në izolim qysh më 25 mars, për të frenuar përhapjen e koronavirusit.
Izolimi ka bllokuar pjesën më të madhe të aktivitetit ekonomik, përveç shërbimeve themelore, siç janë spitalet, farmacitë dhe dyqanet ushqimore.
India ka afro 50,000 të infektuar me koronavirus.