I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka hedhur poshtë lajmet për shkarkimin e tij nga kjo detyrë.
Në media të ndryshme online, por edhe në rrjetet sociale, gjatë ditës qarkulloi një lajm se Joseph DioGuardi, ish-kongresmeni amerikan dhe presidenti i “Albanian American Civic League” në SHBA, i konfirmonte një shtetasi shqiptar shkarkimin e Grenell. Më vonë, postimi në rrjetet sociale u fshi.
Për shkarkimin e Grenellit shkruajti edhe asamblisti i Vetëvendosjes në Gjakovë, Kreshnik Alija i cili iu referua Josehp DioGuardit.
Grenell në pëgjigjen e tij për gazetarin e A2, thotë se nuk e di kush është DioGuardi, por i njëjti po përhap lajme të rreme.
“Nuk e di kush është DioGuardi, por kushdo qoftë, nuk duhet të dëgjoni ato që thotë. Po përhap lajme të rreme. Kush është ai?”, tha Grenell.
Richard Grenell mban postin e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Gjermani dhe që prej 20 shkurtit 2020, është emëruar edhe drejtor i përkohshëm i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare nga presidenti Trump.