Trendi i rasteve të reja me Kovid-19, numri i të cilëve dje arriti 20, ndërsa pardje në 36, do të shqyrtohet sot në takimin e Komisionit të Sëmundjeve Infektive, pas të cilës do të jepen rekomandime të reja deri te Qeveria për veprim të mëtutjeshëm lidhur me masat e vendosura për mbrojtje nga përhapja e koronavierusit dhe sipas kësaj, do të dihet nëse do të ketë lehtësim të tyre.
Numri i përgjithshëm i të diagnostifikuarve me Kovid-19 në vend nga fillimi i epidemisë, deri tani arrin 1.642, numri i pacientëve të shëruar është 1.136, i të vdekurve 91, ndërsa aktualisht numri i rasteve aktive arrin 415.
Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve që në mënyrë të vazhdueshme t’i zbatojnë masat, ta respektojnë ndalimin e grupeve më të mëdha se dy persona, të mbajnë distancë prej të paktën dy metra dhe të mbajnë pajisje mbrojtëse për fytyrë në rast se hapësira midis qytetarëve është më e vogël se siç përcaktohet.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe deklaroi se nga rezultatet e testimeve, se a do të ketë numër më të vogël ose më të madh të të diagnostikuarve të rinj me virusin korona, do të varet dimensionimi i masave të mëtutjeshme dhe hapja graduale e ekonomisë. Ato rezultate do të analizohen në takimet e Komisionit për Sëmundje Ngjitëse dhe të Shtabit Qendror të Qeverisë, pas çka do të dihet se si saktë do të dimensionohen masat dhe cilat subjekte do të hapen të parat.
“Ata që organizojnë, edukime, kurse, autoshkolla, do të ishin të parët, të cilët do të fillojnë të funksionojnë në pajtim me propozimet. Por të përsëris se rreth këtyre propozimeve do të diskutohet në takimin ne nesërm dhe do t’i propozohen Shtabit qendror në Qeveri.
Prioritet do të kenë të gjithë ata të cilët lehtë mund të vendosin rend, distancë, dezinfektim, mbajtje të maskave, dhe ata të cilët mund të vendosin sistem sporteli, sqaroi ministri.
I pyetur për lehtësimin e masave për sportistët, Filipçe theksoi se po mendohet të lejohen sportet individuale, por potencoi se si e tërë kjo do të zhvillohet më tutje, do të dihet pas mbledhjeve.
Koordinatori kryesor i shtabeve së krizave komunale dhe zëvendëskryeministri, Bujar Osmani gjatë vizitës së tij në Tetovë tha se me udhëheqësinë e Bashkësisë Fetare Islame kanë biseduar për zbatimin e masave për mbrojtjen e besimtarëve pas vendimit për hapjen e xhamive për lutje nga 12 maji.
“Ata e kanë marrë vendimin bazuar në numrat e ri në rënie dhe për shkak të faktit se disa vende të rajonit dhe më gjerë në botë marrin vendime për hapjen e objekteve fetare. Biseduam dje për përgatitjen e një sërë masash që duhen zbatuar. Ata janë të gatshëm për të gjitha masat që do të na i japim në drejtim të ruajtjes së një distancë të mjaftueshme dhe masave të caktuara për mbrojtje personale, besimtarët t’i respektojnë kur kryejnë ritet fetare”, tha Osmani.
Në pyetjen nëse shteti mund të sjellë vendim ta ndalojë përdorimin e objekteve fetare siç bëri me objektet e hotelierisë dhe turizmit, Osmani tha se kushtetuta nuk e lejon atë.
“Ne kemi vendim të përgjithshëm për të parandaluar tubimet dhe grupimet, një dekret me fuqi juridike por nuk kemi asnjë të drejtë kushtetuese të ndërhyjmë në vendimet e bashkësive fetare”, tha zëvendëskryeministri Osmani.