Disa shtete evropiane po vazhdojnë procesin e rikthimit në normalitet pas izolimi si pasojë e virusit korona. Rihapja e shkollave fillore, e bizneseve dhe në disa raste e bar-restoranteve po aplikohen anembanë kontinentit. Vendet nëpër Evropë kanë nisur lehtësimin e masave të tyre të karantinës, me shpresën se do e shmangin një valë të dytë të pandemisë.
Pas disa javëve izolim, Spanja lejoi të hënën rihapjen e restoranteve dhe organizimin e qytetarëve në grupe deri në 10 persona në ambientet e jashtme.
Në Zvicër, shkollat fillore edhe ato të mesme u rihapën edhe pse me numër të kufizuar nxënësish, ndërsa rifilluan punën edhe bar-restorantet, libraritë dhe muzetë duke ndjekur rregullat strikte të distancimit.
Edhe në Francë rifilloi mësimi në shkollat fillore, dyqanet e veshjeve dhe libraritë rinisën punën, ndërsa për herë të parë pas tetë javëve, qytetarët dolën lirisht nga banesat e tyre pa nevojën e një lejeje të posaçme për autoritetet.
Në kryeqytetin francez, aktiviteti më i shumëpritur pas një periudhe të gjatë izolimi ishin floktoret.
Disa berberë thonë se janë të zënë për gjithë javën në vijim, por edhe java e ardhshme po rezervohet me shpejtësi nga klientët.
Autoritetet në Greqi filluan zbatimin e fazës së dytë të lehtësimit social, duke rihapur mbi 90 mijë pika shërbimi e duke rikthyer mbi 225 mijë persona në punë, edhe pse dyqanet duhet të presin një numër të caktuar klientësh në bazë të sipërfaqes së tyre.
Në Belgjikë dhe Holandë, nxënësit e shkollave fillore u rikthyen pjesërisht në klasa, u rihapën sallonet e bukurisë, libraritë dhe lulishtet.
Danimarka i lehtësoi masat duke nisur me qendrat tregtare, ndërsa në Poloni, me hotelet, edhe pse turistëve të huaj do u duhet të vetizolohen për dy javë.
Masa të ngjashme janë aplikuar më herët në vende si Gjermania, Austria dhe Italia.
Kontinenti evropian në tërësi numëron mbi 1,5 milionë persona të infektuar nga koronavirusi, duke kaluar edhe epiqendrën aktuale, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.