Bashkimi Evropian ka njoftuar se të gjitha vendet anëtare duhet të rrisin nivelin e tyre të gadishmërisë kundër një vale të dytë të mundshme të koronavirusit të ri (COVID-19). Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Stefan De Keersmaecker, në një konferencë për media nënvizoi se punimet koordinuese mes vendeve anëtare vazhdojnë në kuadër të luftës kundër COVID-19. Ai tha se edhe masat përgatitore rishikohen dhe se është e rëndësishme të informohen qytetarët rreth një vale të dytë të mundshme të COVID-19. “Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (CDC) në analizën e fundit të rrezikut u bëri thirrje vendeve anëtare që të përgatiten për një valë të dytë të COVID-19 duke përmirësuar plotësisht sistemet e tyre të mbikëqyrjes”, tha De Keersmaecker. Pasi vuri në dukje se komunikimi në lidhje me rreziqet duhet të jetë i hapur, zëdhënësi De Keersmaecker tha se një valë e dytë e COVID-19 mund të ndodhë edhe nëse procesi në valën e parë zhvillohet mirë. Ndërsa kryezëdhënësi i KE-së, Eric Mamer tha se në rend dite është çështja që BE-ja të ndërmarrë më shumë rol përsipër në shëndetësi e cila aktualisht është nën dominimin e qeverive, por se në fazën e parë janë përqendruar në “menaxhimin e krizës” dhe se më pas do të bisedojnë për mësimet që duhet të nxirren.