Ndonëse Britania e Madhe është vendi më i goditur në Europë nga Coronavirusi, qeveria ka publikuar planin për fazën e parë të lehtësimit të masave shtrënguese. Nga kjo e mërkurë qytetarët që nuk mund të punojnë nga shtëpia, mund të rikthehen në vendet e tyre të punës.
Po ashtu edhe kopshtet mund të rihapen ndërsa njerëzit do të jenë të lirë të kalojnë më shumë kohë jashtë shtëpisë, madje edhe të takojnë njerëzit e afërm. Megjithatë qytetarëve u kërkohet të shmangin transportin publik kur nuk është i nevojshëm, në rast të kundërt duhet të jenë të pajisur me maska. Ndryshimet e reja nuk po zbatohen ndërkohë në Skoci, Uells dhe Irlandën Veriore, ku mesazhi “Qëndron në Shtëpi” është ende në fuqi.
Zbutja e masave për parandalimin e përhapjes së Covid 19 u lajmërua rreth një javë më parë nga kryeministri Boris Johnson.
Banka e Anglisë ndërkohë bazuar në statistikat kombëtare, tha se vendi ka pësuar tkurrjen më të madhe ekonomike 3 mujorin e fundit. Prodhimi ekonomik ka rënë me 5.8 5.
Por e njëjta situatë paraqitet në të gjitha vendet e Bashkimit Europian. Komisioneri për Ekonominë, Paolo Gentiloni tha se BE do të propozojë rihapjen graduale të kufijve në të gjithë bllokun, për t’u bërë gati për sezonin turistik.
Po ashtu Austria dhe Gjermania kanë rënë dakord të hapin kufijtë e tyre me 2 faza: një pjesë e kufizimeve do të hiqen të Premten, ndërsa në 15 qershor kufizimet do të hiqen plotësisht. Franca ndërkohë ka vendosur të rihapë plazhet por nuk do të lejohen grumbullimet me më shumë se 8 persona. Në Rusi, vendin e 2 në botë me më shumë të infektuar pas SHBA-ve, qeveria ka vendosur lehtësimin e masave.
Ndërsa në Brazili regjistroi rekordin e ri të viktimave gjatë 24 orëve të fundit ku 881 persona humbën jetën. Por pavarësisht shifrave në rritje të vdekjeve dhe infeksioneve, vendi ka ndjekur pjesërisht shembullin e Suedisë: Njerëzit janë të lirë në aktivitetin e përditshëm.