ITKSHKSH,letër faktorit ndërkombëtar dhe Papa Françeskut

Ne sot jemi përsëri këtu, pasi që dje e dëgjuam përgjigjen e kryetarit të Qytetit të Shkupit, z. Petre Shilegov.Ndonëse na duket pa vend argumentimi se a kemi reaguar apo jo në të kaluarën kur vendi i shtëpisë së Nënës Terezë kishte kaluar në pronësi private, dëshirojmë ta informojmë Kryetarin Shilegov se ne edhe atëherë kemi reaguar, porse për ne është e habitshme që reagimi ose mosreagimi të jetë arsye për të bërë gabime sot. Pos kësaj, mendoj se është e njohur tashmë se ne nuk kemi asnjë pushtet ekzekutiv që ta detyrojmë Qytetin ose ndonjë pushtet tjetër shtetëror që të veprojë ndryshe. Ne jemi institucion shkencor dhe kulturor dhe detyra jonë është ta themi fjalën tonë specialistike përkitazi me këto figura të rëndësishme të historisë që dalin përtej kufijve tanë etnikë, urbanë e shtetërorë.

Marketing

Prandaj, duke u nisur nga kjo, për neve nuk janë kontestuese faktet që i shpalosi Kryetari Shilegov, por është me rëndësi perceptimi që ka pushteti ndaj figurës së Nënës Terezë. Nëse nobelistja e vetme nga Shkupi, Nëna Terezë, nuk është një figurë me përmasa botërore që e nderon më shumë se askush tjetër Qytetin tonë dhe gjithë shtetin dhe një figurë që e kthen vëmendjen e gjithë botës drejt nesh, atëherë ne kemi problem serioz me atë se cili është standardi i vlerësimit të figurave të këtilla. Derisa bota mundohet të prodhojë figura të këtij profili edhe aty ku nuk ka realisht, ndërsa ne duke e pasur një figurë të tillë ta nëpërkëmbim duke ia zhdukur gjurmët e pranisë së saj në Kryeqytet, kjo më shumë flet keq për ne sesa për atë.

Prandaj, unë jam sot këtu që ta lus Kryetarin Shilegov të gjejë një zgjidhje, qoftë duke e kthyer atë në pronë publike, qoftë duke ndjekur procedurë gjyqësore ose duke gjetur mundësi të tjera çfarëdo qofshin ato, pos kësaj gjendje të turpshme që e shohim sot këtu. Kërkesat tona janë modeste: të rikthehen shenjat e themeleve të shtëpisë së Nënës Terezë, të krijohet një shteg për të vendosur lule në pllakën përkujtimore dhe teksti i pllakës ta reflektojë identitetin dygjuhësh të Kryeqytetit, të sanksionuar edhe me ligj.

Ajo që është për keqardhje është se Kryetari Shilegov lejon që “qytetarë të ndërgjegjshëm në mënyrë vullnetare të mund t’i mbulojnë gjurmët e shtëpisë së Nënës Terezë”, ndërsa Qyteti i Shkupit, si bashkësia më e madhe e vetëqeverisjes vendore me pushtet ekzekutiv, nuk paska mundësi të bëjë asgjë për ta rikthyer në gjendjen paraprake një pikë të rëndësishme pelegrinazhi dhe turizmi në Kryeqytet, e cila – pos tjerash – flet për gjurmët e bamirësisë që kanë buruar nga ky vend dhe janë shpërndarë në gjithë botën.

Sidoqoftë, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, përkatësisht Departamenti për Mbrojtjen e Trashëgimisë së Nënës Terezë, nuk do të ndalet këtu. Duke pritur mbështetje edhe nga opinioni më i gjerë, ne prej sot do të fillojmë të kërkojmë përkrahje edhe nga faktorë të tjerë vendorë dhe ndërkombëtarë, ndërsa do t’i drejtohemi me letër edhe kreut të Kishës Katolike, Papa Françeskut, që edhe ai të ndihmojë në mënyrën e tij për t’i ndërgjegjësuar autoritetet tona për rëndësinë e prezantimit të personalitetit të Nënës Terezë.

Drejtuar: (Ambasadave të huaja)

z./znj ________ _______________,

Ambasador i ……………….. në Shkup

Nga:

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup

I nderuari / E nderuara Shkëlqesi,

Kam kënaqësi që ju drejtohem, ndonëse arsyeja e këtij komunikimi është një shqetësim i përgjithshëm publik, që na ka brengosur jo vetëm neve si studiues e si shkupjanë, por edhe shumë dashamirë të qytetit tonë, që i kanë sytë kah ne.

Para disa ditëve në sheshin e Shkupit, “Maqedonia”, aty ku dikur ishin gjurmë e shtëpisë së Nënës Terezë, është mbjellë një park i vogël, duke i mbuluar kështu gjurmët e shtëpisë së familjes Bojaxhiu, por edhe duke e mbyllur rrugën për të vendosur lule në pllakën përkujtimore që ekziston aty. Për informacionin Tuaj, ai vend për vite me radhë konsiderohej si shenjë e shtëpisë së Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë dhe ishte shndërruar në një pikë pelegrinazhi dhe turizmi për admiruesit e personalitetit të saj.

Nisur nga kjo, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, si institucion i vetëm shkencor në vend që ka departament për studimin dhe mbrojtjen e trashëgimisë së Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë, i cili është akredituar nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, e ngriti këtë çështje duke iu drejtuar me letër Presidentit, Kryetarit të Kuvendit dhe Kryeministrit të vendit, si edhe Kryetarit të Qytetit të Shkupit, me kërkesë që ta rikthejnë gjendjen e mëparshme, të krijojnë shteg për të vendosur lule në pllakën përkujtimore të shtëpisë së Nënës Terezë dhe, përveç kësaj, propozuam që do të ishte e udhës që përfundimisht edhe teksti i asaj pllake ta respektojë dygjuhësinë në Kryeqytet.

Por, për fat të keq, kjo gjendje nuk ka ndryshuar, ndërsa Kryetari i Qytetit të Shkupit e shfajësoi veten duke dhënë shpjegime se bëhet fjalë për pronë private, mbi të cilën Qyteti nuk ka kompetenca. Duket paradoksale që Qyteti i Shkupit të mos ketë fuqi mbi epiqendrën e tij dhe madje aq lehtë ta kalojë faktin se ashtu janë mbuluar gjurmët e nobelistes së vetme të Shkupit dhe personalitetit më të madh në historinë botërore të bamirësisë dhe humanizmit, të pranuar ashtu edhe ndërkombëtarisht, por realiteti i hidhur është pikërisht ky.

Prandaj duke besuar në bashkëpunimin Tuaj miqësor me vendin tonë, po Ju drejtohem me këtë letër për të kërkuar mbështetjen e vendit tuaj në këtë temë dhe, në përgjithësi, të komunitetit të qytetëruar ndërkombëtar, sepse Gonxhe Bojaxhiu i përkiste Shkupit, por Nëna Terezë i përket gjithë botës.

Me shpresë kjo gjendje të korrigjohet sa më shpejt dhe me nderimet më të larta miqësore!

Shkup, 14.05.2020 Dr. Skender Asani, drejtor

* * * * *

Drejtuar:

Papa Françeskut,

Kreu i Kishës Katolike në Vatikan

Nga:

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup

I nderuari Atë, Papa Françesku,

Ju lutem pranojeni këtë letër bashkë me lutjet dhe dëshirat e mia për shëndetin tuaj dhe për mirëqenien e mbarë komunitetit katolik, të cilin Ju e drejtoni.

Paraprakisht kërkoj ndjesë që Ju drejtohem personalisht Juve, aq më shumë që arsyeja e këtij komunikimi është një shqetësim i përgjithshëm publik, që na ka brengosur jo vetëm neve si studiues e si qytetarë të Shkupit, por edhe shumë dashamirë të qytetit tonë, që i kanë sytë kah ne.

Para disa ditëve në sheshin e Shkupit, “Maqedonia”, aty ku ju vitin e kaluar e mbajtët meshën gjatë vizitës historike në qytetin tonë, e ku – pos tjerash – ishin edhe gjurmët e shtëpisë së murgeshës së madhe katolike, të lindur në Shkup, Nënës Terezë, është mbjellë një park i vogël, duke i mbuluar kështu gjurmët e shtëpisë së familjes së Shën Terezës, por edhe duke e mbyllur rrugën për të vendosur lule në pllakën përkujtimore që ekziston aty për të shënuar gjurmët e saj në qytetin tonë. Për informacionin Tuaj, ai vend për vite me radhë konsiderohej si shenjë e shtëpisë së Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë dhe ishte shndërruar në një pikë pelegrinazhi për admiruesit e personalitetit të saj.

Nisur nga kjo, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, si institucion i vetëm shkencor në vend që ka departament për studimin dhe mbrojtjen e trashëgimisë së Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë, i cili është akredituar nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, e ngriti këtë çështje duke iu drejtuar me letër Presidentit, Kryetarit të Kuvendit dhe Kryeministrit të vendit, si edhe Kryetarit të Qytetit të Shkupit, me kërkesë që ta rikthejnë gjendjen e mëparshme (themelet e shtëpisë së Shën Terezës) dhe të krijojnë shteg për të vendosur lule në pllakën përkujtimore të shtëpisë së saj.

Por, për fat të keq, kjo gjendje nuk ka ndryshuar, ndërsa Kryetari i Qytetit të Shkupit e ka shfajësuar veten duke dhënë shpjegime se bëhet fjalë për pronë private, mbi të cilën Qyteti nuk ka kompetenca. Duket paradoksale që Qyteti i Shkupit të mos ketë fuqi mbi epiqendrën e tij dhe, madje, aq lehtë ta kalojë faktin se ashtu janë mbuluar gjurmët e nobelistes e shenjtores së vetme nga Shkupi dhe personalitetit më të madh në historinë botërore të bamirësisë dhe humanizmit katolik, të pranuar ashtu edhe ndërkombëtarisht, por realiteti i hidhur është pikërisht ky.

Prandaj duke besuar në mundësinë dhe dashamirësinë Tuaj, po Ju drejtohem me këtë letër për të kërkuar mbështetjen Tuaj, sepse vërtet Gonxhe Bojaxhiu është shkupjane, por Nëna Terezë i përket gjithë botës dhe është sinonim i bamirësisë së Kishës Katolike.

Me përulësi dhe me shpresë se kjo gjendje do të korrigjohet sa më shpejt, pranoni nderimet dhe konsideratat e mia më të larta!

Shkup, 14.05.2020 Dr. Skender Asani, drejtor