Kamera termike dhe robotë, aeroportet përgatiten për një kërcënim të ri

Aeroportet në SHBA dhe kudo tjetër po testojnë kamera termike, kabinat dezifektuese dhe teknologji të tjera me shpresën për ngadalësimin e përhapjes së virusit, ndërsa zvogëlojnë rrezikun e ekspozimit të pajisjeve të aeroportit ndaj sëmundjes.

Marketing

“Kjo do të jetë pjesë e sistemit tonë normal të udhëtimit,’- tha Richard Salisbury, drejtor menaxhues dhe themelues i Thermoteknix Systems, një kompani britanike që ka zhvilluar kamera termike për përdorimin e aeroportit. “Do të jetë pjesë e strukturës së modeleve tona të udhëtimit.”

Pandemia ka ulur kërkesën për udhëtim ajror në 95 %, dhe operatorët shpresojnë që teknologjitë e reja të ekzaminimit, t’u krijojnë pasagjerëve besimin për të fluturuar përsëri.

Në aeroportin ndërkombëtar të Los Anxhelosit, dikur një nga aeroportet më të ngarkuara të vendit, shefi ekzekutiv Justin Erbaçi, kohët e fundit njoftoi krijimin e një force pune për rikuperimin ndaj Covid-19 që ka nisur të vendosë në zbatim përdorimin e kamerave termike, kioskave pa prekje dhe teknologjive të tjera për të gjurmuar pasagjerët.

Disa pajisje, të tilla si kamerat termike, morën boom gjatë krizës së Sars në 2003 dhe shpërthimit të Ebola në 2014. Por përdorimi i teknologjisë për të gjurmuar udhëtarët e infektuar me koronavirus, pritet të jetë shumë më intensiv dhe i përhapur sesa gjatë shpërthimeve të mëparshme.

Aeroporti ndërkombëtar i Hong Kongut muajin e kaluar filloi të testojë një kabinë që mat temperaturën e një personi, përmes një aparati termik, përpara se individi të lejohet të hyjë në brendësi të aeroportit.

Brenda kabinës, një proçes që mbështetet në dritën ultravjollcë për të shpuar membranën qelizore të baktereve dhe viruseve, përdoret për dezinfektimin e njerëzve që hyjnë. Njerëzit spërkaten gjithashtu me një spërkatës sanitar. Proçesi zgjat rreth 40 sekonda. Tani sistemi është duke u testuar në stafin e aeroportit.

Për më tepër, aeroporti i Hong Kong-ut po përdor robotë pastrimi të pajisur me dritë ultravjollcë që vret viruset, duke sprucuar antimikrobikë në sipërfaqe të prekura shpesh dhe duke përdorur sterilizues ajri për dezinfektimin e tualeteve dhe zonave të tjera të pasagjerëve.

Me kamera termike në aeroporte, një pasagjer me një temperaturë të lartë, i mohohet automatikisht hyrja dhe drejtohet në një zonë të veçantë ku infermierët ose profesionistët e tjerë të trajnuar mund të kryejnë një kontroll më të plotë.

Ekspertët mjekësorë tregojnë se personat e infektuar me koronavirus, nganjëherë, mund të kenë temperaturë normale, duke mos u përcaktuar dot nga kamerat. Kështu prodhuesit e kamerave termike pranojnë që sistemet e tyre nuk janë të garantuara për të identifikuar çdo udhëtar të infektuar, por mund të ndihmojnë në ngadalësimin e pandemisë.

Parsons Corp, një kompani inxhinierike me bazë në Virxhinia, po shkon përtej përdorimit të teknologjisë për të matur temperaturat e pasagjerëve në aeroportet.

Kohët e fundit Parsons njoftoi krijmin e një kioske të kontrollit shëndetësor pa prekje, që mund të matë temperaturën e një pasagjeri, si dhe frymëmarrjen dhe pulsin. Duke u lidhur me një aplikacion në smartphone, kioska gjithashtu mund të kërkojë informacione të tjera shëndetësore.

Bazuar në informacionin shëndetësor dhe të dhënat e tjera, kioska mund t’u japë udhëtarëve një dritë jeshile për të vazhduar më tej në vijën e kontrollit të sigurisë së aeroportit ose të mos pranohet në ndërtesë.