Serbia rihap kufijtë

Qeveria e Serbisë vendosi të enjten për rihapjen kufijve të vendit, pasi i kishte mbyllur ato më 15 mars, për të luftuar përhapjen e koronavirusit të ri, që e shkakton sëmundjen COVID-19.

Marketing

Më parë autoritetet serbe kërkonin, që qytetarët të cilët ktheheshin nga vendet tjera, të posedonin një test negativ të COVID-19, jo më të vjetër se 72 orë, ose në të kundërtën detyroheshin të kalonin në izolim për një periudhë 14 ditëshe.

Por, kjo masë nuk do të vlejë më.

“Pas përmirësimit të situatës me pandeminë, qeveria vendosi të rihapë pikat kufitare dhe të lejojë hyrjen e të gjithë njerëzve në Republikën e Serbisë, pa një test të detyrueshëm të koronavirusit dhe miratimin e komisionit”, thuhet në një deklaratë të qeverisë së Serbisë.

Në kuadër të masave kundër pandemisë, Serbia gjithashtu kishte mbyllur restorante, kafene, shkolla dhe kopshte. Por, këto masa janë hequr dhe tani njerëzve u kërkohet vetëm të mbajnë distancën fizike dhe të vendosin maska kur janë jashtë shtëpisë.

Serbia ka regjistruar rreth 11,000 raste me COVID-19, nga të cilat 237 kanë qenë fatale.