Vazhdon ora e zgjatur policore, 104 persona nuk e respektuan, u arrestuan 76

Në territorin e gjithë shtetit edhe këtë të hënë vazhdon të jetë në fuqi vendimi për kufizim të lëvizjes, që filloi të dielën në ora 11:00 dhe do të zgjas deri në orën 05:00 të së martës.

Marketing

Vendimi i marrë në mbledhjen e 56 të qeverisë, ka për qellim pengimin e përhapjes së virusit korona. Por megjithë urdhëresën për ndalesë të përgjithshme të lëviyjes për dy ditë, sërisht ka pasur shkelje të orës policore.

Shifrat e MPB-së tregojnë se policia ka kapur 104 persona që nuk respektuan udhëresën gjatë 24 orëve të fundit.

Prej tyre 76 persona u arrestuan dhe ndaj të tjerëve do të merren masat përkatëse. As arrestimet nuk i ndalin qytetarët të lëvizin , sidomos brenda rrugëve të lagjeve ku kontrolli i policisë pothuajse është ineksiztent.

Është vërejtur gjithashtu edhe mosrespektimi një ditë më parë I urdhëresës për mbajtjen e maskave mbrojtëse. Në kumtesën e publikuar në ueb faqen e MPB-së theksohet se lidhur me masën për mos mbajtjen e maskave mbrojtëse, janë regjistruar 82 kundërvajtje. Shkelja e masave të mbrojtjes, është komentuar edhe nga ministri i shëndetësisë Venko Filipce. Sidomos mosrespektimi i mbajtjes së maskave dhe mosmbajtja e distancës fizike në tempujt fetarë gjatë festimeve të së dielës.

“Pavarësisht thirrjeve të institucioneve shëndetësor që të mos ketë tubime masive, që të respektohen masat për mbrojtje të distances dhe kufizimi i lëvizjes, kjo nuk ka ndodhur. Unë e respektoj festimin dhe besoj fuqimisht se këto janë ngjarje të rëndësishme për të gjithë ne, pavarësisht se cilit besim i përkasim. Por këtë vit, festat nëpër botë shënohen në një mënyrë tjetër, duke vendosur shëndetin tonë mbi gjithçka tjetër”, – ka shkruar Filipçe në rrjetin social Facebook.

Sipas MPB-së, gjatë 24 orëve të fundit, në gjithë vendin janë firmosur edhe 29 vendime për izolim dhe 13 të tjera për vetizolim. Në karantinë shtetërore janë dërguar 23 persona të riatdhesuar.

Në mbledhjen e saj të 57, qeveria vendosi që personat të cilët kanë kryer testin PCR , 72 orë para hyrjes në territorin e vendit, nuk do të dërgohen më në karantinë të detyruar shtetërore por vetëm në izolim shtëpiak.