Në botë 5 milion e gjysmë të prekur nga Kovid-19, vendet e BE-së përgatisin hapjen e kufijve

Spanja kërkon nga vendet e BE-së të vendosin rregulla të përbashkëta për rihapjen e kufijve dhe për rikthimin e lëvizjes së lirë në zonën Shengen. Me rënien e numrit të personave të infektuar me Kovid-19, disa vende evropiane kanë nisur lehtësimin e masave kufizuese, përshirë edhe rihapjen e kufijve që ishin mbyllur në mes të muajit mars. Edhe pse vendet e BE-së kanë caktuar data të ndryshme për rihapjen e kufijve, duhet të ketë parime dhe rregulla të përbashkëta në të gjithë zonën Schengen, deklaroi ministrja e Jashtme e Spanjës, Arancha Gonzalez.

Marketing

Nga ana tjetër Qeveria italiane po negocion me vendet e BE-së për ristartimin e turizmit evropian më 15 qershor dhe për hapjen e të ashtuquajturave, korridore turistike, ka bërë të ditur ministri italian i Punëve të Jashtme, Luigi Di Maio. Ai shfaqi shpresë se italianët do të mund të bëjnë pushime në tërë Italinë, por theksoi se janë të nevojshëm edhe turistë të huaj, veçanërisht “gjermanët, të cilët paraqesin pjesë shumë të rëndësishme”.

Italia paraprakisht njoftoi se do t’i hapë kufijtë e saj për shtetasit e BE-së dhe të zonës Shengen më 3 qershor. Ndërkohë, Qeveria e Gjermanisë planifikon të heqë ndalesën e udhëtimit për turistët e 31 vendeve evropiane, duke nisur nga 15 qershori. Plani pritet të dërgohet të mërkurën për miratim në kabinetin e kancelares gjermane, Angela Merkel. Por, Çekia është në përfundim e sipër të hapjes së kalimeve rrugore dhe hekurudhore me Austrinë dhe Gjermaninë, duke përjashtuar kalimin e këmbësorëve, ndërsa nuk lejohet hyrja e turistëve. Për të gjithë që do të lejohen të futen në Çeki mbetet obligativ testi për Kovid-19, me kusht që ai të jetë negativ.

“Qeveria ka vendosur me këtë masë ta zgjeroj numrin e vendkalimeve kufitare. Do të bëhet e mundur të hapen kufijtë e brendshëm me Austrinë dhe Gjermaninë në të gjitha linjat hekurudhore dhe lidhjen nëpërmjet lumit.”,- thonë nga Qeveria çeke.

Ndërkohë, Qeveria japoneze e ka anuluar gjendjen e jashtëzakonshme në Tokio, por ende mbeten të mbyllura restorantet, zyrat dhe kapacitetet ekonomike.

“Edhe pse është hequr gjendja e jashtëzakonshme duket se ka më pak njerëz në rrugë.”,- u shpreh një qytetar.

“E vizitova zyrën time për të vulosur dokumentet me vulën peronale. Jam mësuar të punoj nga shtëpia.”,- tha një qytetar.

Edhe Arabia Saudite nga e enjtja do të lehtësojë gradualisht kufizimet dhe do të rihapë xhamitë, përveçse asaj në qytetin e shenjtë të Mekës, pas heqjes së masave të vendosura para më shumë se dy muajve për shkak të shpërthimit të virusit Korona. Ministria e Brendshme saudite njoftoi se të premten do të lejohen faljet në xhami dhe punonjësit publikë dhe privatë do të mund të kthehen në punë.

Zyrtarisht mbi 5 milionë e 591 mijë njerëz në botë janë infektuar me virusin korona, rreth 2 milion e 369 mijë janë shëruar, ndërsa mbi treqind e 47 mijë e 900 persona kanë vdekur nga virusi Korona. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë numrin më të lartë të personave të infektuar me një milion e 706 mijë, pason Brazili me 376 mijë të infektuar dhe në vendin e tretë është Rusia me mbi 353 mijë të infektuar.

Marketing