Kancelarja gjermane, Angela Merkel do të jetë e pranishme në mënyrë virtuale në samitin e G-7 që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ajo ka vendosur të refuzojë ftesën e presidentit Trump për të marrë pjesë fizikisht në takimin në Shtëpinë e Bardhë ndërsa lajmin e bëri të ditur zëdhënësi saj.
“Duke marrë në konsideratë situatën aktuale (koronavirusi) kancelarja nuk mund të udhëtojë drejt Uashingtonit . Kancelarja falenderon presidentin Trump për ftesën”- tha zëdhënësi i Merkel, Steffen Seibert.
Trump tha për takimin e G7, që mbahet në fund të qershorit, se nuk do të kishte “shembull më të madh për rihapjen e vendeve, se pjesëmarrja në këtë samit”.
Liderët e dy vendeve kanë shkëmbyer shpesh herë kritika mes tyre. Presidenti amerikan ka kritikuar Gjermaninë për shkak të fitimeve të mëdha ekonomike në tregti dhe i ka kërkuar të rrisë kontributin financiar në NATO. Ndërsa Merkel ka kritikuar shpesh Trump për politikën e tij të jashtme në çështje si ndryshimet klimatike dhe Irani.
Deri tani kryeministri britanik, Boris Johnson ka konfirmuar se do të jetë në Uashingoton për samitin e G-7 ndërsa Presidenti francez Emanuel Macron dhe Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel po mendojnë të jetë të pranishëm në nëse masat e shëndetit i lejojnë.