Forumi i Gruas i BDI me apel deri te nënat: Këshilloni anëtarët e familjes për edhe pak durim dhe respektim të masave

Të dashura dhe shumë të respektuara zonja, nëna dhe motra,

Marketing

Duke pasur parasysh se në shoqërinë tonë, gruaja e në veçanti nëna është dhe mbetet shtylla kryesore e familjes, sidomos në edukimin e fëmijëve, po ju drejtohemi Juve me këtë APEL.

Në këto kohë të vështira për shoqërinë tonë, në kohë pandemie të përhapjes së virusit COVID -19, të merrni rolin tuaj në familije duke ndikuar drejtëpërdrejtë tek fëmijët tuaj, bashkëshortët dhe anëtarët tjerë të familjes duke i këshilluar për edhe pak më shumë kujdes, edhe pak durim dhe shmangie të shprehive të zakonta dhe të përditshme, deri në tejkalimin dhe mbarimin e kësaj situate për eliminimin e virusit vdekjeprurës i cili po le pasojat e veta të dukshme e të dhimbshme në familjet tona, tek më të dashurit tanë dhe në mbarë shoqërinë.

Përvoja në periudhën e kaluar, si në vendin tonë ashtu edhe gjithandej në botë, dëshmoi se kujdesi i shtuar dhe respektimi i masave të rekomanduara nga ekspertët, dhanë rezultate për të fituar këtë virus dhe numri i të infektuarve nga dita në ditë të zvogëlohet, por dhe e kundërta nga kjo, një pakujdesi e vogël mund të sjellë pasoja fatale për ne apo për ndonjë anëtar të familjes sonë.

Andaj, të ndikojmë tek më të dashurit tanë, t’i lusim dhe t’i këshillojmë ata dhe duke nisur nga vetvetja të respektojmë maksimalisht – masat mbrojtëse:

➡️Përdorimin e patjetërsueshëm të maskave në vende publike,

➡️Higjienë e shtuar personale,

➡️Distancë sociale e domosdoshme,

➡️Shmangien e takimeve fizike dhe tubimeve me më shumë persona, si dhe

➡️Shmangien e vizitave dhe tubimeve familjare nëpër shtëpi.

Ruajeni shëndetin tuaj, kujdesuni për harmoninë në familjet tuaja, mbroni jetët tuaja dhe të anëtarëve të familjes tuaj dhe mbarë shoqërisë!

Me respekt,
Forumi i Gruas i Bashkimit Demokratik për Integrim