Arabia Saudite njoftoi se sot do të rihapë gradualisht xhaminë e profetit Muhamet në qytetin e Medinës, një nga dy vendet më të shenjta të Islamit, dy muaj pasi u mbyll për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Një agjenci shtetërore e ngarkuar për xhamitë tha se faljet do të lejohen në 40% të kapacitetit të saj, mes masave të rrepta.
Në mars, frika për përhapjen e koronavirusit bëri që autoritetet saudite të ndalonin hyrjen në xhaminë e profetit Muhamet dhe Xhaminë e Madhe në qytetin e Mekës.
Xhamia e Madhe në Mekë konsiderohet si vendi më i shenjtë në Islam drejt së cilës myslimanët e të gjithë botës drejtojnë faljet e tyre të përditshme.
Miliona myslimanë udhëtojnë në Arabinë Saudite çdo vit për të kryer haxhin e vogël, që mund të ndërmerret në çdo kohë gjatë vitit.