Konferencë për shtyp e përfaqësueses së BDI-së, Rina Purini:
Krijimi i sa më shumë mundësive të mira për të rinjtë në Maqedoninë e Veriut
është përcaktim strategjik i Bashkimit Demokratik për Integrim. Mbështetja për
këtë kategori të qytetarëve është pjesë obliguese (integrale) e të gjitha politikave
dhe fushëveprimit tonë si subjekt politik. Kjo mbështetje sidomos është shprehur
tani në këtë periudhë krize të pandemisë, kur përmes një sërë masash jemi duke u
përpjekur t’u ndihmojmë atyre që të përshtaten me realitetin e ri, sidomos të mos
shkaktohen pasoja në edukimin e tyre dhe të mos ndjejnë vështirësi, së paku të
natyrës ekonomike.
Në këtë drejtim, Bashkimi Demokratik për Integrim si pjesë e garniturës aktuale
qeverisëse ka marrë pjesë në inicimin, krijimin dhe miratimin e pakos së masave
për të rinjtë – me kosto 400 milionë denarë, me të cilën pako do të mbështetet dhe
mirëmbahet standardi studentor dhe i nxënësve, si dhe do të përforcohet fuqia
blerëse e të rinjve, kur të hyrat e tyre personale ose mbase të hyrat e familjeve të
tyre janë zvogëluar.
Një nga tri masat e miratuara është ndarja e kartelave pagesore në vlerë prej 3.000
denarëve për të gjithë të rinjtë e moshës prej 16 deri 29 vjeç – e të cilët kanë
statusin e nxënësve të rregullt në shkollat e mesme ose janë studentë. Kjo masë do
të përfshijë rreth 100.000 përfitues, të cilët këto mjete financiare do të mund t’i
shfrytëzojnë vetëm për blerjen e produkteve vendore.
Për këtë masë tashmë është miratuar Dekreti – në të cilin janë definuar hapat
konkretë të implementimit, me qëllim që këto mjete të arrijnë deri shfrytëzuesit e
fundit, në këtë rast te nxënësit dhe studentët.
Të dhënat për nxënësit do t’i sigurojë Ministria e Arsimit dhe Shkencës përmes
Sistemit ESARU, ndërsa të dhënat për studentët, që do të kenë të drejtë të marrin
këtë kartelë pagesore, do t’i sigurojnë vetë universitetet.
Pra, thënë ndryshe, nxënësit dhe studentet nuk do të kenë nevojë të aplikojnë
askund për shfrytëzimin e kësaj mase. Listat e përfituesve të këtyre kartelave
pagesore do të përpilohen dhe dorëzohen në Sekretariatin e Përgjithshëm, dhe
Sekretariati do t’i publikojë ato në portalin enkas për këtë qëllim, duke u kujdesur
për mbrojtjen e të dhënave personale. Gjithsecili që do të gjejë veten në listë në të
njëjtën kohë do të marrë edhe informacion se në cilën bankë do të duhet ta tërheq
kartelën e vet pagesore.
Dua të rikujtoj se në kuadër të pakos së masave për të rinjtë, është paraparë edhe
ndarja e vauçerit në shumë të njëhershme maksimale prej 6.000 denarë për
studentët dhe nxënësit e shkollave të mesme që u përkasin familjeve me të hyra të
ulëta, kurse mjetet do të shfrytëzohen vetëm për pjesën e participimit për studime
në universitete dhe për vendosje (akomodim) në konviktet e nxënësve, konviktet
studentore, si dhe në kapacitete (banesore) tjera të regjistruara private të vendosjes.
Po ashtu, është paraparë edhe ndarja e vauçerëve në shumë maksimale deri 30.000
denarë që u dedikohet të rinjve deri në moshën 29 vjeçare, për bashkëfinancimin e
trajnimeve dhe kurseve për IT dhe shkathtësi digjitale, ku vlerësojmë se trajnimet
dhe kurset e këtilla rrisin mundësinë e performancës së shpejtë dhe të suksesshme
në tregun e punës. Për këto dy masat (e fundit) do t’ju informojmë në ditët në
vijim.
Përndryshe, për tri masat që u dedikohen të rinjve, sipas projeksioneve, do të
nevojiten 12 milionë euro – mjete këto që i kemi siguruar, dhe përfituesit e tyre
(nxënësit dhe studentet) nuk do të kenë detyrim që t’i kthejnë të njëjtat.
Të nderuar,
Në Bashkimin Demokratik për Integrim ne jemi krenarë që arritëm shumë shpejt të
veprojmë dhe brenda një periudhe jashtëzakonisht të shkurtër miratuam një sërë
vendimesh që, siç theksova në fillim të paraqitjes para Juve, kanë rëndësi të
madhe, respektivisht janë një mbështetje e madhe për të rinjtë dhe për
përshtatjen/adaptimin e tyre më të lehtë në realitetin e ri.
Ne edhe më tej mbetemi të hapur për diskutime me qytetarët dhe duam të bëjmë të
qartë faktin se secila ide konstruktive do të jetë subjekt i një analize serioze dhe
secila ide që është mundshme dhe realisht e arritshme do të përpiqemi ta
integrojmë në politikat qeveritare me plane konkrete veprimi për realizim.