Osmani për shfrytëzim dorëzoi 20 respiratorë – donacion i Mbretërisë së Norvegjisë

Zëvendëskryetari i Qeverisë për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, në rolin e Koordinatorit Nacional për Ndihmë të Huaj në vend, i dorëzoi për shfrytëzim respiratorët të cilët si donacion – mbështetje për vendin tonë në luftë kundër COVIC19 i siguroi nga Mbretëria e Norvegjisë.

Marketing

“Edhe një donacion tjetër të realizuar me sukses – ndihmë e huaj e cila është në mënyrë të drejtpërdrejtë e dedikuar për përforcimin e kapaciteteve në ballafaqimin me COVID-19. Bëhet fjalë për 20 respiratorë – donacion nga Mbretëria e Norvegjisë, të cilat realizohen përmes zyrës përfaqësuese të UNOPS-it në vend, dhe të cilat janë me origjinë nga Turqia” – theksoi Osmani, duke shprehur mirënjohje deri në Qeverinë dhe qytetarët e Mbretërisë së Norvegjisë, për bujarinë dhe solidaritetin e tyre të sinqertë, që po e tregojnë gjatë kësaj periudhe të krizës, që paraqet edhe një lloj vazhdimësie të mbështetjes afatgjate dhe të marrëdhënieve të shkëlqyera bilaterale, si falënderim deri tek Agjencioni UNOPS që siguroi realizim të pandërprerë të kësaj ndihme.

“Pavarësisht suksesit fillestar të kanalizimit të pandemisë, jemi të vetëdijshëm që të dhënat e ditëve të fundit, tregojnë rritje të re, një kulm të ri të epidemisë, që vetëm e konfirmon faktin se virusi nuk është as i mposhtur, e as i parrezikshëm. Pikërisht për këtë, krahas mesazheve për zbatim të kujdesshëm dhe të disiplinuar të masave, mbajtjen e distancë dhe mbajtjen e pajisjeve mbrojtëse, maskave, higjienës – ne duhet të vazhdojmë të punojmë dhe në përforcimin e kapacitetit të sistemit shëndetësor, jo vetëm për tu ballafaquar me sfidën aktuale, por edhe të jetë në gjendje t’i rezistojë një valë të re, që parashikohet se mund të ndodhë në vjeshtë” – shtoi Osmani, ku edhe potencoi, se kjo pajisje edhe nëse plotësisht kalon kërcënimi i COVID-19, në masë të konsiderueshme do ta përmirësojë sistemin shëndetësor, potencialin e kujdesit shëndetësor në vend për t’u ballafaquar me sfidat aktuale, ndërhyrjet kirurgjikale, nevojat për kujdes të veçantë.

Dhjetë nga 20 respiratorët e donuar do të vendosen në dispozicion në spitalin SPQ “8 Shtatori”, kurse 10 respiratorët e tjerë, do të shpërndahen në Shtëpitë Shëndetësore në vend, siç janë Spitalet Klinike në Tetovë, Manastir dhe Shtip, ku do të dërgohen nga dy respiratorë, si dhe nga një respirator në Spitalet e Përgjithshme në Strugë, Ohër, Prilep dhe Strumicë.