Kreu i partisë më të madhe opozitare VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski sot edhe njëherë ka ritheksuar se ai nuk frikësohet të përballet në zgjedhje me LSDM-në e Zaevit, por e vetmja që e frikëson dhe shqetëson është shëndeti i qytetarëve i rrezikuar nga pandemia me Kovid-19. Mickoski madje kritikoi ashpër Komisionin për Sëmundje ngjitëse, për të cilin tha se punon nën diktat të Zaevit.
“Unë nuk frikësohem nga zgjedhjet, nuk frikësohem për të gjitha veprimet e Zaevit por për jetën e qytetareve. Në momentin që do ta mposhtim këtë pandemi, ai do të mposhtet dhe do të pësoj debakël në zgjedhje”, tha Mickoski.
Komisioni për sëmundje ngjitëse në vend të politikave për shëndetin ajo zbatonte urdhrat e Zaevit. Kjo solli deri tek ajo që pasojat e virusit të jenë gjithnjë e më të mëdha.
“Zaev, gjysma e partisë së të cilit është në karantinë, në vend që të mendoj për shëndetin e qytetarëve, ai gjithnjë përsërit të njëjtën frazë, zgjedhje dhe vetëm zgjedhje”, tha Mickoski duke shtuar se fillimisht duhet mposhtur Kovid-19, ndërsa më pas radha i vjen Zaevit.
“Ta fitojmë njëherë Kovid-19, ndërsa më pas do të ndodh edhe ajo, debakël i Zoran Zaevit”, tha Mickoski.
Sa i përket datës për mbajtjen e zgjedhjeve, Mickoski tha se pavarësisht të gjitha veglave që posedon Zaev, VMRO-ja nuk frikësohet dhe nuk ikë nga zgjedhjet, por ajo që frikëson kreun e opozitës është ajo se çdo ditë gjithnjë e më shumë në rritje është numri i jetëve të humbura nga virusi Korona.
“Jemi për kompromis, jemi të disponueshëm edhe për Zaevin edhe për Ahmetin, jemi të gatshëm të bisedojmë. Por nuk ndjehem mirë të flas për datë për mbajtjen e zgjedhjeve kur vërtet numri i viktimave është në rritje e sipër”, u shpreh Mickoski.