Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit të Qeverisë së SHBA-së (MCC), ka mirëpritur shfuqizimin e reciprocitetit ndaj Serbisë dhe ka njoftuar për rinisjen e zbatimit të programeve të zhvillimit ekonomik në Kosovë.
Përmes një komunikate për media, MCC tha se mirëpret vazhdimin e partneritetit me Qeverinë e Kosovës.
“Shtetet e Bashkuara mirëpresin zgjidhjen e çështjeve të tarifave dhe heqjen e masave të reciprocitetit ndaj mallrave serbe. MCC do të rinisë zbatimin e programeve në Kosovë. Mirëpresim vazhdimin e bashkëpunimit me popullin dhe Qeverinë e Kosovës, në punën tonë të përbashkët për të zbutur varfërinë përmes rritjes ekonomike”, thuhet në njoftim.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti mirëpriti vendimin e MCC-së për të zhbllokuar vondet për Kosovën.
“Qeveria e Republikës së Kosovës mirëpret vendimin e MCC-së për zhbllokimin e fondeve dhe rinisjen e zbatimit të programeve të zhvillimit në Kosovë”, tha Hoti përmes një postimi në Twitter.
Republic of #Kosovo welcomes the @USAGov Millenium Challenge Corporation decision to unlock its funds and resume implementing the threshold program and developing the proposed compact program in Kosovo. #QeveriaHoti #RKS
— Avdullah Hoti (@Avdullah) June 6, 2020
Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit kishte njoftuar në mars për pezullimin e programeve në Kosovë, për shkak se në fuqi ishin ende tarifat kundër mallrave serbe, ndonëse SHBA-ja vazhdimisht kishte bërë thirrje për heqjen e tyre. Vlera e një programi që MCC-ja pezulloi në muajin mars, kapte shifrën prej 50 milionë dollarësh.
Qeveria e Kosovës të shtunën vendosi për shfuqizimin e masës së reciprocitetit me Serbinë, që kishte hyrë në fuqi në prill të këtij viti.
Largimi i taksës 100 për qind, por edhe më pas të reciprocitetit, vazhdimisht është kërkuar nga SHBA-ja.