Lajmet e rreme në Maqedoni vështirësojnë betejën kundër COVID-19

Pandemia e koronavirusit që shkakton sëmundjen COVID-19, ka alarmuar institucionet pas marrjes hov të lajmeve të rreme në Maqedoninë e Veriut, në veçanti pas raportimeve në mediat e njohura botërore se vendi ndodhet në krye të listës së shteteve që përçojnë dezinformata në rrjetet sociale.

Marketing

Televizioni amerikan NBC News kishte raportuar disa ditë më parë për mbylljen nga ana e kompanisë Facebook të disa profileve dhe portaleve që merreshin me teori konspirative për koronavirusin. Facebook kishte zbuluar disa faqe të caktuara interneti përhapin lajme kundër vaksinimit dhe teori të konspiracionit për koronavirusin, ndërsa pjesa më e madhe e postimeve kishin prejardhje nga Maqedonia e Veriut.

Që nga paraqitja e koronavirusit, më 26 shkurt, vendi është vërshuar nga teori të ndryshme, të tilla si: “koronavirus nuk ekziston”, “COVID-19 është shpikur për interesa përfitimi”, “antenat 5G përhapin COVID-19”, etj.

Përhapja e lajmeve të rreme në kohë pandemie konsiderohet vepër penale në Maqedoninë e Veriut, ku ende në fuqi është gjendja e jashtëzakonshme, por deri më tani institucionet nuk kanë ndërmarrë masa për sanksionimin apo zbulimin e autorëve të këtyre teorive të konspiracionit.

Ministria e Punëve të Brendshme përmes një komunikate ka bërë të ditur se ka nisur kërkesë në kompaninë Facebook për të dhëna plotësuese të personave që përhapin lajme të tilla, që të mund të nisë hetimet.

“Opsionet ligjore për veprim të Ministrisë së Brendshme në këtë kontekst janë informimi i Prokurorisë Publike kompetente në lidhje me përhapjen e lajmeve të rreme dhe pastaj Prokuroria Publike nëse beson se ka elemente të një krimi të bërë, do të japë udhëzime për veprime të mëtejshme dhe MPB-ja do të veprojë”, thuhet në njoftim.

Eksperti për marrëdhëniet me publikun dhe median e re, Bojan Kordalov, thotë se është shqetësues fakti se Facebook për herë të tretë përmend Maqedoninë e Veriut, si një vend ku njerëzit fitojnë duke përhapur lajme të rreme në nivel global. Ai thekson se institucionet nuk kanë zgjidhje tjetër përveç që të përfshihen në një betejë globale dhe të bashkëpunojnë në këtë fushë, pasi lajmet e rreme dëmtojnë drejtpërdrejt demokracinë dhe institucionet.

“Ky është një problem global dhe një kërcënim, paraqet një sfidë të madhe. Kjo do të thotë se duhet të lokalizohen vendet ku lajmet e rreme përhapen më shpejt, domethënë këto industri me teori konspirative funksionojnë, ato janë kryesisht media sociale sepse aty ka shumë frekuentim dhe dezinformatat mund të arrijnë një numër i madh i popullatës në botë”, thotë Kordalov.

Profesori i shkencave të komunikimit në Universitetin e Evropës Juglindore Sefer Tahiri, thotë se lajmet e rreme dhe teoritë e konspiracionit janë një shqetësim serioz për të gjithë, në veçanti tani në kohën e luftës kundër koronavirusit.

“Ky është një problem që shkakton huti tek opinioni publik për çështje të ndryshme, në veçanti tani kur përballemi me pandeminë e koronavirusit, për të cilin ngritën teori apo qasje konspirative, të pabazuara, të paargumentuara, të cilat fatkeqësisht zënë hapësirën e mediave online. Ky është një problem, sfidë me të cilën duhet të ballafaqohet komuniteti mediatik. Në radhë të parë mendoj se duhet të forcohet vetrregullimi në media me atë që do të ketë një rol më të madh në aspektin publik, por edhe në aspekt të imponimit të vendimeve që i sjell Këshilli i Etikës në Media”, thotë Tahiri.

Ai gjithashtu thekson rëndësinë që duhet të luajnë institucionet, në veçanti prokuroria, e cila duhet të veprojë urgjentisht kundër çdo dezinformate që paraqitet në opinion.

“Prokuroria Publike nuk duhet të qëndrojë duarkryq ndaj përhapjes së këtyre lajmeve, që nuk janë lajme, janë të pavërteta dhe të cilat në vete përmbajnë nxitjen e panikut apo që bëjnë thirrje për veprime të dëmshme me ndikim shoqëror”, shprehet profesori Sefer Tahiri, duke theksuar nevojën për ndërgjegjësimin e nxënësve të shkollave të mesme me këto dukuri negative, respektivisht përmes mësimit të lëndës së edukimit mediatik.

Në këtë kuadër, eksperti për marrëdhëniet me publikun, Bojan Kordalov, thotë se institucionet duhet të punojnë me mediat sociale dhe organizatat tjera globale që kanë autoritetin për të luftuar këtë fenomen.

Industria e lajmeve të rreme në Maqedoninë e Veriut ishte bërë e njohur në mbarë botën në vitin 2016, pasi një grup të rinjsh nga qyteti i Velesit përhapën lajme të rreme gjatë garës presidenciale në SHBA, ku Donald Trump u zgjodh presidenti i Shteteve të Bashkuara./REL/