Pandemia rrit interesimin e qytetarëve që të përdorin biçikletat për transport

Aktivistët për mbrojtjen e ambientit në Maqedoninë e Veriut thonë se pandemia e koronavirusit, ka dhënë mësime lidhur me zgjidhjen e problemeve, sa i përket ndotjes së ajrit dhe njëra nga to, sipas tyre, është përdorimi i biçikletave si mjet transporti.

Marketing

Elena Nikollovska nga Qendra për hulumtim dhe informim për mjedisin jetësor, thotë se shfaqja e koronavirusit, në masë të caktuar ka ndërgjegjësuar qytetarët dhe autoritetet, për rëndësinë e ruajtjes së ambientit dhe për atë që ajo e quan “rimëkëmbje të gjelbër”.

Nga qyteti i Shkupit theksojnë se në tre vjetët e fundit, janë ndërtuar mbi 30 kilometra shtigje të reja për biçikleta. Po ashtu, thuhet se gjatë kësaj kohe, autoritetet lokale kanë subvencionuar blerjen e 10 mijë biçikletave, me qëllim që të zëvendësohet përdorimi i automjeteve me biçikleta.

Valon Saliu, zëdhënës në qytetin e Shkupit, thotë për Radion Evropa e Lirë se interesimi i qytetarëve për të përdorur biçikletat si mjet transporti, ka shënuar rritje, si pasojë e rrethanave që ka shkaktuar koronavirusi.

“Koronavirusi i fenomen më vete ka efektin e vet dhe kjo stimulon njerëzit që deri më tani kanë përdorur autobusin, që të përdorin biçikletën si mjet transportues”, thotë ai.

Edhe zëvendësministri i Mjedisit Jetësor, Jani Makraduli thotë se masat që janë ndërmarrë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, edhe në të ardhmen mund të zbatohet. Ai thotë se pandemia e koronavirusit dëshmoi se shumë punë në sektorë të ndryshëm mund të kryhen në distancë, pa pasur nevojë që njerëzit të shkojnë në zyre duke përdorur automjete për transport.