Kryeministri shqiptar, Selmani: Ide e mirë, duhet strategji e përbashkët

Ideja e BDI-së që në të ardhmen e afërt, RMV të ketë edhe kryeministër shqiptar, nga Profesori Universitar Bashkim Selmani shihet si ide e realizueshme, nëse gjendet një personalitet që do të merrte gëzonte edhe mbështetjen e komuniteteve tjera. Selmani thotë për TVM 2 se postin e Kryeministrit kanë të drejtë ta synojnë të gjitha partitë politike, por aktualisht thotë se mungon strategjia e përbashkët faktorit politik shqiptar.

Marketing

“Kryetari I Kuvendit por edhe Kryeministri janë bazë të sovranitetit shtetëror, dhe shqiptarët në të gjitha anët reale duhet të jenë pjesë e sovranitetit. Në këtë rast kjo është vetëm një identifikim i kësaj natyre në aspektin politik, dhe nëse është idea dhe qëllimi i mirë, pse mos të mund të arsyetohet në aspektin juridik. Mirëpo nga ana tjetër tek shqiptarët kjo mund të jetë vetëm një kërkesë minimale, duke e ditur se shqiptarët nuk janë pjesë përbërëse e gjithë sovranitetit shtetëror.”- tha Bashkim Selmani, profesor universitar.

Selmani: Luftë për të qenë pjesë e sovranitetit shtetëror

Selmani u apelon partive shqiptare që të unifikohen e ta përkrahin jo vetëm këtë ide, por edhe idetë e tjera që kanë si qëllim përfshirjen e shqiptarëve në aspektin kushtetues dhe si pjesë e sovranitetit të shtetit.

“Të gjitha partitë politike shqiptare duhet të bëjnë cmos që shqiptarët etnik të njihen në aspektin kushtetues, e më pas të gjitha detajet tjera mund të ndryshojnë, Por derisa shqiptarët nuk njihen në aspektin kushtetues, synimi dhe fokusi duhet të jetë bazë për njohjen e shqiptarëve në Maqedoni në aspektin e sovranitetit të tyre si pjesmarrës në sovranitetin shtetëror, dhe përderisa kjo nuk arrihet, gjitha të tjerat duken se do të jenë të pa realizueshme.”- tha Selmani.

Edhe pse aktualisht në vend kryeministri zgjidhet pothuajse gjithmonë nga partia fituese, ka raste që kanë treguar se etniteti shumicë jo gjithnjë ka qenë vendimtar për poste të caktuara. Kjo u tregua me zgjedhjen e kreut të Kuvendit në legjislaturën e fundit por edhe më herët me zgjedhjen e kreut të SHGM-së apo atë të Federatës së futbollit.