Të gjitha subjektet juridike mund të aplikojnë në shpalljen e publikuar nga Agjencioni për punësim i Maqedonisë së Veriuit(AP), për kreditimin e kompanive private për hapje të vendeve të reja të punës për persona juridik të cilat duan të zgjerojnë dhe zhvillojnë biznesin e tyre nëpërmjet shfrytëzimit të mjeteve kreditore,ka njoftuar zëvendësdrejtori i AP, Bekim Murati.
Fletëparaqitje mund të dorëzojnë persona juridik ndërmarrje mikro, të vogla dhe të mesme.
– që janë të regjistruar së paku 6 muaj
– kanë të përgatitur llogari vjetore per vitin e kaluar
– që kanë së paku një të punësuar në ditën e publikimit të kësaj shpalljeje publike, dhe
– që njëherësh nuk e kanë zvogëluar numrin e të punësuarve në tre muajt e fundit para ditës së aplikimit.
Fletëparaqitje për pjesëmarrje në këtë projekt mund të dorëzojë edhe personi i papunë që është evidentuar në Agjencinë e Punësimit të RMV, si person që në mënyrë aktive kërkon punë, i cili nuk ka qenë në marrëdhënie pune tek i njëjti punëdhënës i cili aplikon në projektin së paku një (1) vit nga dita e aplikimit.
Personi juridik mund të merr kredi në shumë prej 5000 euro për hapjen e një vendi të ri të punës, pa kufizim të numrit të personave të cilet mund ti punësoj.
Personi juridik i cili do të punësojë një person të papunë me orar të plotë të punës, ka obligim që atë ta mbajë në punë së paku tre (3) vjet nga dita e themelimit të marrëdhënies së punës. Në qoftë se ndërpritet marrëdhënia e punës, punëdhënësi është i obliguar në vend të tij të punësojë me orar të plotë pune, ndonjë person tjetër të papunë i cili i plotëson kushtet e projektit, përndryshe do të jetë i detyruar që para kohe ta kthejë kredinë në tërësi.
Kushtet sipas të cilave mund të merren mjetet kreditore janë siç vijojnë:
– Afati i kthimit të mjeteve është 4 vjet përfshirë këtu grejs periudhën prej një viti
– Kamata prej një për qind brenda vitit.
– Garancia për kthimin e mjeteve me hipotekë në raport 1 : 1 me miratimin e kredisë, ose letrën e vet me vlerë të nënshkruar së paku nga një person për të cilën të drejtat dhe obligimet në raport me të janë përcaktuar me deklaratën e letrës me vlerë të dhënë në formën e aktit noterial dhe me klauzolë përmbaruese ose kapar në raport 1 : 2 në shumën e kredisë së lejuar.
Personi juridik gjatë paraqitjes është i obliguar që:
– në ditën e paraqitjes nuk është në procedurë falimentuese dhe likuiduese;
– t’i ketë paguar të gjitha tatimet dhe kontributet;
– të ketë punuar me fitim në vitin e kaluar .
Në qoftë se subjektet juridike, pas lidhjes me personat e papunë, të cilët kanë dorëzuar fletëparaqitje pas publikimit të shpalljes publike, nuk arrijnë që ta kënaqin nevojën e tyre me punëtor të profilit adekuat, atëherë Qendra e punësimit do të angazhohet që të ndërmjetësojë për gjetjen e personave të papunë në evidencën e Agjencisë së Punësimit të RMV.
Kërkesën për kredi mund ta dorëzojnë në klubet e punës së 30 qendrave të punësimit në Agjencionin e punësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, çdo ditë pune prej ora 09:00 deri më 14:00.