Nuhi Dardhishta
Si mësues, si arsimtar, si pedagog ne jemi ne dijeni për arritjet, por gjithashtu edhe për disavantazhet ende ekzistuese në vendin tonë. Ne të gjithë e dimë se vetëm disa vjet më parë, përdorimi i gjuhës sonë nuk ishte ende zyrtar. Ne të gjithë e dimë që fëmijët shqiptarë në të kaluarën duhet të përballeshin me diskriminimin në arsim, dhe se mësuesit dhe drejtorët e institucioneve arsimore kryesisht kanë qenë maqedonas, madje edhe në trevat shqiptare. Kohët kanë ndryshuar dhe situata është përmirësuar falë presionit të vazhdueshëm ndaj qeverive të viteve të kaluara të udhëhequra nga Maqedonas. Dhe kjo na bën të besojmë, që mund të arrijmë edhe më shumë. Me një Kryeministër shqiptar nuk do të jetë më e nevojshme të luftohet për të drejtat e shqiptarëve, për herë të parë në histori barazia do të ishte e vetëkuptueshme.
Tendencat për të na trajtuar si qytetarë të klasit të dytë në vendin tonë, me një Kryeministër Shqiptar, më në fund do të humbnin në intensitet dhe do të kapërcenim ndarjet në shoqëri dhe do të bëheshim plotësisht të barabartë. Ne jemi gjithashtu të sigurt, se ky kryeministër do të bënte përpjekje të veçanta në arsim, veçanërisht në shkollat shqipe duke vazhduar me investime të nevojshme në infrastrukturën e shkollave dhe duke përmirësuar cilësinë e arsimit pa kurrfarë preference etnike.
Por arsyeja e dytë për mbështetjen time është edhe më e rëndësishme. Në punën tonë të përditshme si mësimdhënës, ne bëjmë çmos t’iu japim nxënësve tanë vetëbesim, që me edukimin e duhur ata mund të arrijnë gjithçka. Ky besim është një nga motivimet më të rëndësishme për fëmijët për të studiuar. Për këta fëmijë, emërimi i një Kryeministri shqiptar do të ishte sinjali më i fortë që për ata sikurse për çdo tjetër është i arritshëm çdo pozicion.
Një arsye tjetër tejet e rëndësishme për përkrahjen e kësaj ideje është se duke e ditur që më shumë se 1/3 e nxënësve në arsim janë nxënës shqiptarë, besoj se gjithmonë njëri nga tre postet kryesore në RMV duhet të na takojë ne shqipëtarëve.
Prandaj, unë mendoj që duhet ta mbështesim plotësisht këtë ide. Unë gjithashtu mendoj që të gjitha partitë politike, si dhe të gjitha OJQ-të shqiptare që të mbajnë këtë ide jashtë interesave të njëanshme dhe në vend të kësaj të mbështesin këtë kauzë shqiptare. Për të arritur këtë, ne shqiptarët duhet të bashkohemi. Nëse qëndrojmë së bashku, së shpejti mund t’u mësojmë fëmijëve tanë një kapitull të ri në histori: Herën e parë, kur një shqiptar u bë Kryeministër i Maqedonisë së Veriut, dhe se me punë çdo gjë arrihet!
SPONSORED CONTENTMgid