Viti shkollor 2019/2020 mbaroi “online”

Sot mbaron viti shkollor 2019/2020 për rreth 270 mijë nxënës të shkollave të mesme dhe të shkollave fillore në vendin tonë, të cilët tre muajt e fundit kanë qenë jashtë shkollave dhe kanë ndjekur mësimin online për shkak të gjendjes me koronavirusin e ri.

Marketing

Qeveria vendosi për “zbrazjen” e shkollave më 11 mars, kurse për shkak të rrezikut për përhapje të koronavirusit, në fund të muajit prill ekzekutivi vendosi që mësimi online të vazhdojë deri në fund të vitit shkollor.

Këtë vit shkollor nuk do të realizohen matura shtetërore, matura shkollore dhe provimi përfundimtar për shkollat e mesme tre dhe katërvjeçare. Provime kualifikuese do të organizohen vetëm për ato fakultete ku ekziston konkurrencë e lartë, krahasuar me numrin e vendeve të lira për studentët.

Pandemia e prolongoi për një muaj edhe regjistrimin e filloristëve, të cilët me 1 qershor nën masa rigoroze higjienike dhe me orare të caktuara paraprakisht, kryesisht online realizuan afatin e regjistrimeve.

Afatet e regjistrimit të nxënësve në shkolla të mesme, të cilat janë të përcaktuara sipas konkursit mbeten të pandryshuara, kështu që në 16 dhe 17 qershor është afati i parë për regjistrim në shkolla të mesme.