Lëvizja opozitare Vetëvendosje e ish-kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, mbajti të premten një tubim publik, në qendër të Prishtinës, i cili përkoi me 21-vjetorin e çlirimit të Kosovës dhe 15-vjetorin e themelimit të kësaj lëvizjeje.
Tubimi nisi me himnin e Shqipërisë, ndërsa të tubuarit thërrisnin slogane si: “Hajnat në burg”, “Me hajna nuk ka shtet”, “Vetëvendosje” dhe “Duam zgjedhje”.
Nga tubimi po ashtu u dërguan mesazhe për rikthimin e Vetëvendosjes në pushtet, përmes zgjedhjeve të reja.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se sot festohet liria e fituar nga luftërat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe me sakrificat e shumë brezave.
“Sot, ne kujtojmë genocidin, vrasjen e mbi 13,000 civilëve, zhdukjen e tyre, abuzimin e mijëra njerëzve, masakrat dhe dëbimet, shkatërrimin e pronës private dhe publike”, tha Kurti.
“Sot i jemi mirënjohës NATO-s dhe SHBA-së për ndihmën në kauzën tonë të drejtë për liri dhe vetëvendosje dhe për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme për ndërtimin e një shoqërie demokratike”, shtoi ai.