Regjistrimi në vitin e parë në shkolla të mesme, me termine të zgjeruara

Regjistrimi i nxënësve në vitin e parë, në shkollat e mesme publike në vitin shkollor 2020/2021 do të realizohet në një afat regjistrimi dhe i njëjti fillon me regjistrimin e parë më 16 dhe 17 qershor të këtij viti. Regjistrimet vazhdojnë në paraqitjen e dytë dhe të tretë të afatit të regjistrimit më 24, 25 dhe 29 qershor të vitit 2020.

Marketing

Siç bënë të ditur nga Qyteti i Shkupit, shkollat e mesme të Qytetit e organizojnë regjistrimin e nxënësve sipas Konkursit për regjistrim të nxënësve në shkollat e mesme publike për vitin shkollor 2020/2021 dhe Protokollit për veprim në shkollat e mesme në Republikën e Maqedonisë së Veriut gjatë regjistrimit të nxënësve në vitin e parë në vitin shkollor  2020/2021.

“Duke pasur parasysh pandeminë me KOVID-19 dhe nevojën e veprimit në mënyrë të sigurt gjatë regjistrimit, shkollat e mesme të Qytetit të Shkupit vendosin zgjerim të termineve të definuara për regjistrimin  e parë sipas interesimit të pritur të nxënësve dhe përvojës së deritanishme. Terminet e përcaktuara kohore janë vendosur në ueb faqet e tyre dhe janë bërë të ditura përmes rrjeteve sociale, ndërsa qëllimi i termineve të zgjeruara është që të mundësojë siguri maksimale për të gjithë që janë pjesë e procesit”, bëjnë të ditur nga administrata e Qytetit.

Nga nxënësit, siç theksohet, pritet që të kenë plotësuar paraprakisht Fletëparaqitje, e cila në mënyrë elektronike është në dispozicion si dhe dokumentacion komplet të përgatitur më parë me qëllim që sa më pak të vonohen në shkollë. Hyrja në shkollë është e kufizuar vetëm për nxënësit të cilët regjistrohen pa shoqërim të prindit/kujdestarit me përjashtim të nxënësve të cilët për shkaqe të arsyeshme janë të penguar që në mënyrë të pavarur ta realizojnë regjistrimin, dhe në ato raste lejohet prania e njërit prind/kujdestar.

Shfrytëzimi i pajisjeve mbrojtëse si maska dhe doreza, mbajtja e distancës fizike dhe respektimi i tërësishëm i udhëzimeve nga ruajtësit e rendit që janë të pranishëm është i obligueshëm për secilin vizitor, bëjnë të ditur nga Qyteti i Shkupit.