Kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi në intervistë me Insajderi.com shpalosi ofertën politike të PDSH-së duke vënë në pah rëndësinë e aplikimit të demokracisë konsensuale dhe vetos nëpërmjet një zv. kryeministri që vjen nga shqiptarët.
Në rast se do të ketë një votë të konsiderueshme për kandidaturën time dhe PDSH-në, atëherë mund të kemi jo vetëm një zv. Kryeministër shqiptar por një zv. Kryeministër me peshë më të madhe institucionale që ofron përfaqësim të denjë të të gjithë shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.”
Maqedonia e Veriut është në prag të zgjedhjeve të reja dhe pothuajse sa herë ka zgjedhje atje, bashkë me fituesin duket sikur vendoset e ardhmja – literalisht e ardhmja. Në Maqedoni zgjedhjet nuk nënkuptojnë veç rrotacion historik, por edhe rrotullim vendimtar të historisë.
Gjithashtu, sa herë ka zgjedhje në Maqedoninë e Veriut, ato janë shansa e shqiptarëve atje për të lëvizur nga vendi – për të realizuar vetën e përmes vetes shtetin.
Për këtë nevojitet vizion.
Vizion që Menduh Thaci, kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare thotë se e ka, por “jetësimi i këtij vizioni varet nga vota e shqiptarëve për PDSH-në”.
PDSH është partia më e vjetër shqiptare në Maqedoninë e Veriut, por megjithatë mbështetja e saj politike duket se është zbehur ndjeshëm. Çka mund t’i ofrojë Menduh Thaçi dhe PDSH Maqedonisë së Veriut dhe shqiptarëve këtu në zgjedhjet e korrikut?
Diskutimi i kontributit historik të PDSH-së ndër vite është një çështje shumë e ndërlikuar dhe shkon shumë përtej kufijve të kësaj bisede. Megjithatë, vlen të theksohet se PDSH ka luajtur rol fort përmbajtjesor në përmbushjen e dy aksiomave kryesore politike të formuluara nga Arben Xhaferi: qëndrimi konsistent në orientimin euro-atlantik dhe zhvillimi sistematik i demokracisë multietnike. Me anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO dhe çeljen e negociatave për anëtarësim në BE, tashmë jemi në drejtimin e patjetërsueshëm euro-atlantik. Roli i shqiptarëve në këtë orientim gjeo-strategjik është i pamohueshëm dhe i patjetërsueshëm. Natyrisht, mjaft është bërë edhe në rrafshin e përmirësimit të të drejtave dhe zgjerimit të mundësive të faktorit shqiptar këtu. Megjithatë, tani është koha që në Maqedoninë e Veriut të ketë një qasje tjetër politike të liruar nga retorika e zbrazët dhe folklori pa përmbajtje. Prandaj, në këto zgjedhje qasja e PDSH-së do të jetë fare e thjeshtë dhe do të ketë përqendrim në dy shtylla themelore: zhvillimi i demokracisë konsensuale dhe forcimi ekonomik i shqiptarëve në përgjithësi. Në këtë kuptim, kontributi i rradhës i PDSH është veçse vazhdim i projektit të demokracisë konsensuale në Maqedoninë e Veriut dhe përpjekje për zhvillim ekonomik si nevojë reale e kohës.
Është e vërtetë se pothuajse të gjithë nënvizojnë rëndësinë e këtyre dy prioriteteve, megjithatë ne kemi nevojë për disa ndryshime strukturore në mënyrë që të mundësojmë realizimin praktik të tyre.
Thelbi i gjësë tani për tani është të kemi një zv. Kryeministër shqiptar që realisht do të jetë Kryeministër i shqiptarëve. E vërtetë që deri më sot shqiptarët kanë pasur zv. Kryeministër në Qeveri, por thelbi është se kësaj radhe duhet ndryshuar profili institucional i tij. Zv. Kryeministri – duke pasur parasysh edhe faktin që shqiptarët janë një faktor shtet-formues në Maqedoninë e Veriut – duhet të marrë bashkëdrejtim me Kryeministrin në disa çështje të rëndësishme të qeverisjes që kanë pasoja të mëdha për jetën e shqiptarëve. Për shembull, me pak ndryshime në rregulloren e punës së Qeverisë, nënshkrimi i zv. Kryeministrit do të bëhet i domosdoshëm për përcaktimin e vijave buxhetore. Në këtë kuptim, nëpërmjet një zv. Kryeministri, do të mundësohet kanalizimi i buxhetit tek komunat shqiptare sipas proporcionit të popullsisë dhe nevojave reale të shoqërisë. Për më tepër, nëpërmjet zv. Kryeministrit dhe rolit të tij në procesin e negocimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, mund të ndodhë edhe forcimi i mëtejmë i një pjese të trupës shqiptare që kryen këto funksione sipas detyrës zyrtare. Pra, risia nuk do të jetë tek emërimi i një zv. Kryeministri shqiptar, por tek ndryshimi i rolit të zv. Kryeministrit që realisht do ta bëjë atë Kryeministër të shqiptarëve.
Fillimisht duhet theksuar se jetësimi i gjithë këtij vizioni varet nga vota e shqiptarëve për PDSH-në. Pra, në rast se do të ketë një votë të konsiderueshme për kandidaturën time dhe PDSH-në, atëherë mund të kemi jo vetëm një zv. Kryeministër shqiptar por një zv. Kryeministër me peshë më të madhe institucionale që ofron përfaqësim të denjë të të gjithë shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Megjithatë, gjykuar për një periudhë më afatgjatë, ne kemi nevojë të trasojmë rrugën për ndryshimin e vetë strukturës së Parlamentit të Maqedonisë së Veriut. Thënë më konkretisht, Maqedonia e Veriut ka nevojë për një parlament me dy dhoma, një dhomë etnike dhe tjetra që trajton çështje tjera të rëndësisë më të gjerë publike. Pra, për çështje që ndërlidhen drejtpërdrejt me çështje të interesave të grupeve etnike dhe kombëtare, duhet të ketë një formë tjetër të vendimmarrjes nga çështje të tjera, për shembull, që lidhen me politikat e mjedisit a cilësisë së ajrit.
Me këtë projekt, pra, nuk ka akomodim të interesave personale por përmbushje të disa hapave të domosdoshëm që gradualisht e çojnë Maqedoninë e Veriut drejt demokracisë multietnike dhe konsensuale.
Është e vërtetë që ne kemi qenë pjesë e Qeverisë edhe me BDI-në dhe kjo krijon mundësi për interpretime të shumta. Megjithatë, e vërteta është vetëm një: pavarësisht pjesëmarrjes në të njëjtën Qeveri, me BDI-në kemi pasur dallime të thella politike. Thelbi i bashkëqeverisjes së fundit nuk ka qenë as interesi i ngushtë i pushtetit, as marrëdhënia hipokrite politike me BDI-në, por ruajtja e orientimit pro-perëndimor të Maqedonisë së Veriut në rrethana shumë të rënda politike. Pra, nuk është fare fshehtësi se pjesëmarrja në Qeverinë e fundit është nxitur dhe bashkërenduar me partnerët ndërkombëtarë dhe në interes të projektit trans-atlantik të Maqedonisë së Veriut.
Në fund, po theksoj edhe diçka që mund të duket si zhvendosje e vëmendjes: angazhimi për orientimin pro-perëndimor të Maqedonisë së Veriut është vetë interes kombëtar i shqiptarëve. Prandaj, ky është një argument shtesë për mbështetjen e PDSH-së në zgjedhjet e ardhshme, ndryshe prej grupacioneve që nëpërmes instrumenteve financiare të Turqisë, apo Iranit kanë punuar drejt tjetërsimit të substancës kulturore shqiptare.