BE-ja në korrik do të negociojë për buxhetin dhe fondin e rimëkëmbjes

Liderët e Bashkimit Evropian do të takohen në mesin e korrikut për të negociuar buxhetin afatgjatë të bllokut dhe planin për rimëkëmbje për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Marketing

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, pas një video-konference të liderëve të BE-së, tha se ata do të takohen në mes të muajit korrik, për të nisur “negociatat e vërteta”.

“Është e rëndësishme që të vendosim për këtë çështje sa më shpejt që është e mundur”, tha Michel.

Qeveritë e BE-së po negociojnë për detajet e fondit të rimëkëmbjes pas pandemisë, që është në vlerë prej 750 miliardë eurosh. Ata po ashtu po bisedojnë rreth buxhetit shtatëvjeçar të bllokut, që kap shifrën prej 1,1 trilionë eurosh.

Fondi i rimëkëmbjes së BE-së ka për qëllim të ndihmojë shtetet që janë goditur më së keqi nga pandemia, por ka dallime të mëdha në mesin e shteteve rreth këtij fondi.

Shtetet si Austria, Danimarka, Holanda dhe Suedia, po kundërshtojnë paketat e stiumilimit që përfshijnë grante dhe borxhe. Ata duan që këto grante, t’u jepen shteteve që plotësojnë disa kritere.

Por, shtete si Italia dhe Spanja, po kërkojnë që BE-ja të japë grante pa pasur asnjë kusht për reforma makro-ekonomike.