Në treguesin tjetër, atë të konsumit individual për frymë, që mat mirëqenien materiale të familjarëve, Shqipëria sërish mbetet e fundit, në 40% të mesatares së BE-së, nga 39% një vit më parë. Për Bosnjën, ky tregues është 42%, për Maqedoninë 41%, për Serbinë 49% dhe sërish më të lartin e ka Mali i Zi, me 60% të mesatares evropiane
Shqipëria dhe Maqedonia vijojnë të mbeten vendet më të varfra të Evropës, me të ardhurat dhe konsumin më të ulët për frymë. Sipas të dhënave të publikuara nga EUROSTAT për vitin 2019, shqiptarët dhe maqedonasit kishin të ardhura për frymë sa 31% e mesatares evropiane, më e ulëta në Evropë (të dhënat për Kosovën nuk përfshihen). Në raport me një vit më parë, kjo përqindje ka mbetur e pandryshuar, çka tregon se Shqipëria ka ngecur në të ashtuquajturin proces të konvergjencës, që nënkupton një rritje më të shpejtë ekonomike se vendet e zhvilluara, me synim që të kapet mesatarja e të ardhurave të BE-së brenda një periudhe kohe. Shqipëria është tashmë më e varfër edhe se Bosnjë-Hercegovina, e cila ka mesatare 32% të BE-së në vitin 2019, ndërsa një vit më parë kishte të njëjtin nivel si Shqipëria. Maqedonia e Veriut e kishte këtë tregues në 38%, Serbia (41%) dhe më e “pasura” në rajon është Mali i Zi, me 50% të mesatares së BE-së.
Në treguesin tjetër, atë të konsumit individual për frymë, që mat mirëqenien materiale të familjarëve, Shqipëria sërish mbetet e fundit, në 40% të mesatares së BE-së, nga 39% një vit më parë. Për Bosnjën, ky tregues është 42%, për Maqedoninë 41%, për Serbinë 49% dhe sërish më të lartin e ka Mali i Zi, me 60% të mesatares evropiane. Në Evropë, në 2019, të ardhurat për frymë u luhatën midis 53% të mesatares europiane në Bullgari dhe 261% në Luksemburg. 10 shtete anëtare kishin të ardhura për frymë mbi mesataren e BE-së. Në treguesin e konsumit individual për frymë (AIC), nëntë Shtete Anëtare regjistruan AIC për frymë mbi mesataren e BE-së në vitin 2019. Niveli më i lartë në BE u regjistrua në Luksemburg, 35% mbi mesataren e BE-së. Gjermania ishte rreth 23% më lart, e ndjekur nga Austria, Danimarka, Belgjika, Holanda, Finlanda, Suedia dhe Franca, të cilat regjistruan të gjitha nivelet midis 5% dhe 20% mbi mesataren e BE-së. AIC për frymë për dymbëdhjetë shtete anëtare rezulton midis mesatares së BE-së deri në 25% më pak.
Në Itali, Irlandë, Qipro, Spanjë dhe Lituani, nivelet ishin 10% ose më pak nën mesataren e BE-së, ndërsa Portugalia, Çekia, Sllovenia dhe Malta ishin midis 10% dhe 20% më pak. Polonia, Rumania dhe Greqia ishin midis 20% dhe 25% nën mesataren e BE. Gjashtë shtete anëtare regjistruan AIC për frymë, me mbi 25% nën mesataren e BE-së. Estonia ishte 25% më poshtë, Sllovakia, Letonia, Hungaria dhe Kroacia midis 25% dhe 35% më poshtë, ndërsa Bullgaria kishte AIC për frymë 41% nën mesataren e BE-së. (koha.mk)