Lëvizja Vetëvendosje ka kundërshtuar mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare të Serbisë në Kosovë, duke thënë se kjo paraqet cenim të “integritetit dhe sovranitet shtetëror”, pasi sipas kësaj lëvizjeje opozitare, Serbia me këtë rast po e trajton Kosovën “efektivisht si pjesë të saj”.
“Serbët e Kosovës me 21 qershor nuk do të votojnë si votues jashtë vendit me shtetësi të dyfishtë duke votuar përmes postës apo në Zyrën Ndërlidhëse në Prishtinë, por si shtetas brenda Serbisë dhe në qendra të votimit të hapura nga autoritet serbe nëpër komunat e Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes, të postuar në rrjetin social Facebook.
Sipas kësaj lëvizjeje, Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Avdullah Hoti i LDK-së, me lejimin e mbajtjes së këtyre zgjedhjeve ka legjitimuar pretendimet e Serbisë.
“Është përpjekje tinëzare e Qeverisë së përmbytur në varësinë nga Lista Serbe, se kinse nuk po votohet në Kosovë, por vetëm po grumbullohen votat nga OSBE. Qeveria e demaskuar tashmë po përpiqet të maskojë mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës, që do të mbahen sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Serbisë, të organizuara nga autoritetet e saj në mes të ditës dhe në kundërshtim të hapur me rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e LVV-së.
Mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë duke e trajtuar Kosovën edhe efektivisht si pjesë të saj, është cenim i…
Publiée par Lëvizja VETËVENDOSJE! sur Samedi 20 juin 2020
Më 21 qershor, qytetarët serbë që banojnë në komunat me shumicë serbe në Kosovë, do të votojnë për zgjedhjet parlamentare serbe. Misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë që më 21 qershor, do të bëjë grumbullimin e votave për zgjedhjet parlamentare të Serbisë.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se ka lejuar mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, duke marrë për bazë praktikat e mëhershme.
Më 2017, zgjedhjet presidenciale të Serbisë janë zhvilluar në të njëjtën mënyrë në Kosovë.
Zyrtarët serbë kanë thënë më herët se nga 8,386 vendvotime, ku do të zhvillohet votimi, 90 janë në Kosovë – aq sa kanë qenë vitet e kaluara.