Brazili është vendi i dytë më i prekur në botë nga Covid-19 pas SHBA-ve.
Shifrat janë alarmante teksa në vend janë regjistruar mbi 54 mijë raste të reja gjatë 24 orëve të fundit, dhe u shënuan 1,200 viktima.
Numri i të infektuarve ka shkuar në 1,070,139 ndërsa raportohen rreth 50 mijë viktima.
Mungesa e testeve sugjeron se shifrat e vërteta janë më të larta dhe ekspertët thonë se akoma nuk është arritur piku.
Brazili, shteti me popullsinë më të madhe në Amerikën Latine, me rreth 211 milionë banorë, ka konfirmuar rastet e para me Covid-19 më 26 shkurt, dhe ka kaluar shifrën prej 1 milion rastesh më 19 qershor.
Presidenti brazilian, Jair Bolsonaro është kritikuar për shkak të mënyrës se si po e menaxhon krizën. Ai ka kritikuar distancën sociale, duke thënë se ajo është një masë që mbyt vendet e punës dhe është më e rrezikshme se vet virusi.
Pavarësisht shifrave të larta, në Brazil më 11 qershor, janë hapur qendrat tregtare në dhjetëra qytete.