“Takimet Poetike të Karadakut” – Poeti korçar Skender Rusi nderohet me Çmimin e Parë

Klubi i Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” nga Kumanova,
në teren të hapur në amfiteatrin e Gjimnazit “Ismet Jashari” në Likovë, organizoi
edicionin e 28-të me radhë të manifestimit tradicional kulturor-letrar “Takimet
Poetike të Karadakut”.

Marketing

Kryetari i Klubit, Fatos Rushiti, në fjalën e tij u shpreh se nuk janë pak plotë 28
vite që Klubi ynë me plot vullnet dhe dëshirë mbledh shumë poetë e poete
anembanë trojeve shqiptare, duke i dhënë tradicionalitet, ndjeshmëri e shije të
lartë estetike rrjedhës së këtij manifestimi. “Profesionalizmi, paanshmëria,
mikpritja, vlerësimi adekuat, tingujt e pianos dhe kitarës, jehona e poezisë
kumanovare ndër krijues të mirëfilltë shqiptarë, dhe jo vetëm, kanë bërë qe ky
manifestim të merr vëmendjen e duhur nga vetë institucionet shtetërore në
shtetin tonë dhe të përkrahet në vazhdimësi”, u shpreh Rushiti.

Në kujdesin e poetëve të rinj, Emra Bilalli dhe Arta Selmani, u lexuan artistikisht
dhjetëra krijime letrare të poetëve nga mbarë hapësira shqiptare, si: Skënder
Rusi (Korçë), Rakela Zoga (Selanik), Nexhat Çoçaj (Prizren), Behare Neziri
(Tetovë), Sabit Rrustemi (Gjilan), Majlinda Toma (Lezhë), Farida Ramadani
(Shkodër), Bilall Maliqi (Preshevë), Agim Bajrami (Durrës), Abdurrahman Thaçi
(SHBA), Nijazi Ramadani (Gjilan), Ejup Ajdini (Tetovë), Arben Rashkaj (Prizren),
Kujtim Morina (Tiranë), Berat Baftiu (Prizren), Arjan Kallço (Korçë), Sarë Gjergji
(Viti), Liridona Shehu (Prishtinë), Eduard Konica (Athinë). Ndërsa, nga poetët
vendas që ishin prezent, poezi lexuan: Burhanedin Xhemalili, Arben Ibrahimi,
Sunaj Raimi, Ismail Ganiu, Nuri Rexhepi-Dana, Selajdin Shabani, Sevdail Demiri,
Kreshnik Sopaj, Shpresa Jashari, Arta Selmani, Emra Bilalli,
Më pas juria në përbërje: Sunaj Raimi, Arben Ibrahimi dhe Selajdin Shabani, u
përcaktuan për këto poezi më të mira, të cilat u nderuan me Çmimin “Fadil
Bekteshi”. Vendi i parë i takoi poetit korçar Skender Rusi me poezinë “Ditë pa
mëngjes”, vendi i dytë poetit kumanovar që jeton dhe vepron në SHBA,
Abdurrahman Thaçi, për poezinë “Nga të shkoj”. Ndërsa, në çmimin e tretë u
vlerësuan poeti gjilanas Nijazi Ramadani për poezinë “Amaneti i nanës”, si dhe
poeti kumanovar Kreshnik Sopaj për poezinë “Ana ime”.

Në pjesën tjetër të manifestimit, kryetari i Klubit të Shkrimtarëve “Jehona e
Karadakut”, Fatos Rushiti, ndau disa plaketa, në shenjë mirënjohjeje e
falënderimi për angazhimin dhe bashkëpunimin e suksesshëm. Plaketë iu nda
ministrit të Kulturës, Hysni Ismaili, për mbështetjen e manifestimit; botuesit të
gazetës kulturore-letrare nga Tirana “Nacional”, Mujo Buçpapaj, për kontributin e
tij në përkrahjen e autorëve nga Kumanova dhe mbarë hapësirën shqiptare në
gazetën që drejton; drejtorit të Agjencisë së lajmeve INA, Naser Pajaziti, si dhe
një plaketë e veçantë iu nda ish-kryetarit të Klubit, Sevdail Demiri, për kontributin
e tij në udhëheqje për tetë vite me Klubin e Shkrimtarëve “Jehona e Kardakut”
dhe për ndërtimin e urave të bashkëpunimit me klubet letrare në Preshevë,Gjilan, Viti dhe Tetovë. Një mirënjohje iu nda edhe Gjimnazit “Ismet Jashari” në
Likovë, për bashkëpunimin shumë miqësor dhe korrekt në organizimin e këtij
manifestimi.

Programi u përcoll nën tingujt e pianos së profesorit të muzikës, Eroll Ganiu,
ndërsa të pranishmit patën rastin të marrin edhe botimin më të ri të Klubit, numrin
58 të revistës tradicionale kulturore “Doruntina”.

Manifestimi tradicional “Takimet Poetike të Karadakut”, mbahen për çdo 11 mars
për nderë të kujtimit të demonstratave të ’81-shit të studentëve të Universitetit të
Prishtinës. Mirëpo, edhe përkundër përgatitjeve me kohë, që ky manifestim të
mbahej më 11 mars 2020, u shty për shkak të përkeqësimit të gjendjes
epidemiologjike.

Manifestimi i përvitshëm “Takimet Poetike të Karadakut” u përkrah financiarisht
nga Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë së Veriut, dhe pjesërisht
edhe nga komunat e Likovës dhe Kumanovës.