Ademi: COVID-19 e çoi sportin mbrapa

Ish gazetari i sportit aktualisht trajner i shquar i të rinjve pranë KF “Fortuna 2009”, Safet Ademi, thotë se pandemia e koronavirusit pati pasoja edhe ndaj fëmijëve që merreshin me sport deri në aplikimin e kufizimeve të lëvizjeve, ndërsa te një numër i madh i tyre janë dobësuar aftësitë e tyre motorike, sepse u detyruan të rrinin në shtëpi dhe nuk u lejohej të zhvillonin aktivitetet sportive.

Marketing

“Padyshim që vihet re te shumë fëmijë, por edhe te sportistët më të vjetër, se ky pushim ndikoi në strukturën e tyre mendore dhe gjithashtu në një masë të madhe, edhe në aftësitë e tyre motorike. Duke marrë parasysh që sportistët janë aktivë për një mesatare prej pesë deri në gjashtë orë në javë dhe kur këtë e shumëzojmë për disa javë, fitojmë një rezultat negativ dhe se është bërë një hap i madh mbrapa për shumë sportistë, vecanërisht te fëmijët”, thotë profesori Safet Ademi, i cili është edhe drejtues i Shkollës së Futbollit “Fortuna 2009” nga Shkupi, informon Shtegu.com.

Sipas tij, të gjithë mezi presin rifillimin e garave të futbollit dhe kthimin në fushë. Ai është i vetëdishëm se çdo gjë varet nga vendimet e organeve kompetente për përballje me COVID-19. “Shumë shpejt, zyrtarët për përballjen me COVID-19, duhet të marrin vendime për lehtësimin e masave për sport e veçanërisht ato të sporteve ekipore. Shpresojmë që do të vazhdojmë të planifikojmë seanca stërvitore dhe gara normalisht, gjatë kësaj vere.

Fatkeqësisht, një numër i madh i turneve jo vetëm në vend por edhe në Europë u anuluan, në të cilët fëmijët tanë është dashur të marrin pjesë. Ekipet që duhet të luajnë në garat europiane do duhet të jenë të gatshme për ato përballje. Sigurisht, ne do të jemi të kënaqur me pjesëmarrjen të paktën në disa nga turnet vendase apo kampionatet që do të jenë në gjendje të zhvillohen në të ardhmen e afërt”, thekson ai.

Sipas tij, një e mirë në të gjithë këtë të keqe është ajo se shumë të rinj nuk kanë hequr dorë nga sporti. “Kjo situatë me COVID-19, na ka ndihmuar të gjithëve të kuptojmë se mënyra jonë e të jetuarit pa sport, thjesht e humb kuptimin e saj. Pa frymën konkurruese te fëmijët si dhe te të rriturit, por edhe pa atmosferën e tifozëve, kemi një hendek të madh në emocione gjatë këtij pushimi të shkaktuar nga virusi”, thotë trajneri dhe gazetari i sportit Ademi.