Vazhdon bashkëpunimi mes AZGJ-së dhe misionit të OSBE-së

Drejtori i AZGJ-së, Ylber Sela, sot realizoi një takim pune nëpërmjet videokonferencës me Katarina Zhivkoviqin, ndihmëse e lartë programi në Misionin e OSBE-së në Shkup. Takimi ishte një mundësi e mirë për ta vazhduar dialogun midis AZGJ-së dhe OSBE-së për tema me interes të përbashkët.

Marketing

Përfaqësuesja e OSBE-së  informoi se edhe përkundër situatës së krijuar nga pandemia e virusit korona COVID-19, Misioni i OSBE-së do t’i shtojë aktivitetet për të siguruar ndihmë në nivel ekspertësh për përgatitjen e një dokumenti strategjik shumëvjeçar për punën e AZGJ-së. Njëkohësisht, Misioni i OSBE-së do të sigurojë edhe një numër botimesh që do të dhurohen për nevojat e bibliotekës së AZGJ-së.

Drejtori Sela shprehu falënderim për mbështetjen e deritanishme dhe theksoi se bashkëpunimi dhe dialogu me OSBE-në kanë rëndësi të veçantë. AZGJ-ja do të vazhdojë të jetë partner konstruktiv i OSBE-së në zbatimin e aktiviteteve projektuese që synojnë respektimin e të drejtave gjuhësore të qytetarëve dhe promovimin e vlerave demokratike evropiane, theksoi drejtori Sela.