KSHZ-ja formon borde të veçanta zgjedhore

KSHZ-ja formoi borde të veçanta zgjedhore të cilat do ta zbatojnë procesin e votimit të të infektuarve me Kovid-19 dhe personave që janë në izolim shtëpiak. KSHZ-ja i mori protokollet shëndetësore për zbatim të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare me të cilat është paraparë mënyra e votimit dhe masat për të infektuarit me Kovid-19 dhe personave në izolim shtëpiak.

Marketing

Zëdhënësi i KSHZ-së, Admir Shabani njoftoi se në seancën e djeshme janë formuar rreth 100 borde zgjedhore, në çdo komunë nga një, ndërsa në komunat e Shkupit janë formuar nga dy borde zgjedhore.

“Sipas dekretit të Qeverisë dhe protokolleve shëndetësore, këto borde zgjedhore do të përbëhen nga tre punëtorë shëndetësorë prej të cilëve kryetari do të jetë mjek me arsim të lartë mjekësor, ndërsa në to do të marrin pjesë edhe katër anëtarë me propozim të partive politike”, tha Admir Shabani, Zëdhënës i KSHZ-së.

Gjatë zbatimit të votimit, këto borde zgjedhore duhet të mbajnë mbrojtje personale, doreza, maska dhe mantele për një përdorim, që do të duhet t’i zëvendësojnë kur t’i afrohen një votuesi tjetër. Qytetarët të cilët do të duan ta realizojnë të drejtën e tyre për të votuar ndërsa janë në izolim shtëpiak, do të duhet të paraqiten sipas protokolleve të KSHZ-së, përmes personit të autorizuar të KSHZ-së, ose përmes emailit duke dorëzuar kërkesë. Një person nuk mund të paraqesë më shumë se dy persona të infektuar me Kovid-19.

“Bordet zgjedhore që i formuam dje për këtë detyrë dhe procedurë, do të kalojnë trajnim për zbatimin e procesit të votimit. Kjo do të monitorohet në periudhën që vijon dhe ne do të bëjmë gjithçka që t’i trajnojmë në mënyrë më adekuate për zbatimin e procedurës zgjedhore, ndërsa sa u përket masave të sigurisë, ata tashmë janë të trajnuar duke pasur parasysh se në këto borde do të ketë nga tre mjekë”, tha Admir Shabani, Zëdhënës i KSHZ-së.

Sipas Kodit zgjedhor, afati për paraqitje të këtyre personave zgjat deri më 8 korrik, 7 ditë para ditës së mbajtjes së zgjedhjeve. Nga KSHZ-ja thonë se deri më tani nuk ka asnjë paraqitje deri te komisionet komunale zgjedhore.