Nga Spitali i Kërçovës njoftojnë se gjendja e tyre shëndetsore është stabile. Numri i të infektuarve me virusin korona në Kërçovë tani ka shkuar në 24.
Numri i të infektuarve me Kovid 19, në Kërçovë ditëve të fundit është rritur dukshëm. Me 8-të rastet e reja të konfirmuara gjatë ditës së sotme, numri i të infektuarve në Kërçovë ka shkuar në 24. Tre prej tyre janë shëruar ndërsa njëri ka ndërruar jetë para disa ditëve.
Drejtori i spitalit të përgjithshëm në Kërçovë Stanko Tërpeski ,njofton se 8-të të prekurit me virusin korona që u konfirmuan nga testimet e fundit, janë në gjendje stabile.
Dy pacientë janë shtruar në klinikën infektive të Manastirit, ndërsa 6-të të tjerët marrin trajtimin mjeksor në kushte shtëpiake dhe janë nën përcjelljen e mjekëve amë dhe infektologëve.
Rastet e reja pozitive, potencon ai, vijnë nga burimet e njohura të infekcionit, ku vazhdon procesi i testimeve me kontaktet fizike që të prekurit i kanë pasur me të afërmit e tyre.
Në bazë të indikacioneve dhe me udhëzime të mjekëve amë, nënvizon drejtori Tërpeski, për çdo ditë realizohen nga 7 ose 8 testime, dhe duke pasur parasysh dendësinë e burimeve të infeksionit në mjediset e njohura, numri i të infektuarve gjatë ditëve të ardhshme mund të rritet dukshëm.
Raste të reja pozitive, shton ai, mund të paraqiten edhe nga rezultatet e skriningut për 420 të punësuarit e Qendrës medicinale të Kërçovës, të cilat pritet të shpallen gjatë ditëve në vijim.