Zëri i Amerikës: Opozita shqiptare pa program, mirren vetëm me rrëzimin e BDI-së

Partitë opozitare shqiptare mirren vetëm me retorika se si ta rrëzojnë BDI-në nga pushteti se sa me oferta reale për përmirësimin e kushteve të shqiptarëve.

Marketing

Në këtë fushatë ata janë kthyer në të kaluarën dhe plot fjalor kundër oponentit të tyre politik BDI-së në ndërkohë që kjo e fundit ka vazhduar të tregojë se sa parti serioze është jo vetëm me Vetingun dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve, investimet dhe së fundmi edhe me idenë e madhe, atë të kryeministrit të parë shqiptarë .Partitë opozitare shqiptare edhe në këtë garë po hyjnë pa program të caktuar informon ts.

Fushata parazgjedhore në Maqedoninë e Veriut ka hyrë në ditën e katërt. Partitë dhe garuesit deri tash i kanë kushtuar më shumë vëmendje arritjeve në të kaluarën, se sa ofertave dhe platformave të tyre programore. Zgjedhjet e parakohshme atje mbahen më 15 korrik.

Fushata e partive politike në Maqedoninë e Veriut, me përjashtime të vogla duket sikur është përqendruar më tepër tek akuzat dhe sulmet e ndërsjella se sa tek ofertat e garuesve për zgjedhjet e 15 korrikut. Kjo fushatë dallon nga të tjerat: nuk ka mitingje as takime me shumë njerëz për shkak të rrethanave të pandemisë dhe për rrjedhojë është shtuar aktiviteti politik nëpër rrjetet sociale.

Lidhja Social Demokrate dhe Bashkimi Demokratik për Integrim që qeverisën së bashku vendin për këto tre vjet të fundit kanë ftohur raportet pasi partia shqiptare doli me idenë për një kryeministër shqiptar në vend; një akt ky i cilësuar si populist jo vetëm nga kundërshtarët e BDI-së por dhe nga një numër analistësh.

“Në qoftë se vërtet janë serioz në refuzimin e bashkëpunimit, le të dalin para opinioninit (publik) dhe të thonë argumentet e veta se pse janë kundër idesë që një shqiptar të mund ta udhëheq ekzekutivin. Le të ulemi dhe t’i shtrojmë alternativat para qytetarëve e të japim propozimet”, thotë Naser Ziberi, kandidat i BDI-së për kryeministër.

Në anën tjetër, koalicioni i dy partive shqiptare, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa duket sikur në paraqitjet e tyre më shumë merren me retorikat si ta rrëzojnë BDI-në nga pushteti se sa me ofertat reale për përmirësimin e kushteve të shqiptarëve:

“Vota për Aleancën dhe për Alternativën dhe pëë kolaicionin “Tash është koha” – e çon në opozitë BDI-në. Dhe ne jemi zotuar që do ta kthejmë shtetin e së drejtës; do ta ndërtojmë atë me shumë mund e sakrificë. Do t’i hapim të gjitha proceset e montuara politike të mbyllura e që kanë të bëjnë me krim dhe korrupsion”, thotë Ziadin Sela i Aleancës përe Shqiptarët.

Lidhja Social Demokrate, ndërkohë premton avancimin e vendit drejt Bashkimit Evropian brenda mandatit të ardhshëm katër vjeçar.

“Anëtarësimi në NATO është një biletë për në Bashkimin Evropian; Sivjet me merita të plota i hapim bisedimet me BE-në; Jemi të gatshëm, dimë dhe mundemi që me qeverinë e drejtuar nga LSDM të hapim 80 përqind të kapitujve për integrimin në Bashkimin Evropian”, tha drejtuesi social-demokrat Zoran Zaev, i cili është i bindur se në vitet e ardhshme Maqedonia e Veriut do të sigurojë fonde evropiane prej 2.5 miliardë eurosh.

LSDM-ja, e cila synon edhe votat e shqiptarëve, ka marrë në koalicion Lëvizjen Besa, teksa edhe në listat e saj ka futur kandidatë shqiptarë, një pakicë e tyre me mundësi të mirë për të fituar mandatin. LSDM-ja sugjeron që më mirë do të ishte për BDI-në dhe për shtetin që ajo të kalonte për katër vitet e ardhshme në opozitë.

Nga themelimi i saj në vitin 2002 partia e zotit Ahmeti ndodhet në pushtet, përveç një periudhe prej një viti e gjysmë në 2006-2008. BDI-ja në fushatë merret me të kaluarën, me një ikonografi të Ushtrisë Çlirimitare Kombëtare në reklamat televizive dhe arritjet në aspektin e përdorimit të gjuhës e të flamurit, e që kanë hasur në kritika te një pjesë e opinionit të gjerë publik. BDI-ja në mandatin e fundit pati dhjetë deputetë nga 120 vendet sa janë gjithsej në parlament.

Ndërkohë, VMRO-DPMNE-ja konservatore ka vënë në shënjestër atë që ajo e quan korrupsion të qeverisë së LSDM dhe marrëveshjet e dëmshme sipas saj me Greqinë dhe Bullgarinë fqinje për çështjen e emrit dhe shqyrtimit të historisë së përbashkët.

“Ju premtoj zotërinjë të LSDM-së se në gjashtë muajt e parë gjithkund ku ka bazë për kriminalitet dhe korrupsion – do të përgjigjeni! Duhet ta keni të qartë këtë! Nuk do të ketë kompromis. Patjetër të respektohen ligjet dhe drejtësia!”, u shpreh Hristijan Mickovski në një takim me përkrahës të partisë së tij.

Partia Demokratike Shqiptare del e vetme në garë, teksa drejtuesi i saj Menduh Thaçi synon postin e zëvendës-kryeministrit në qeverinë e re.

Procesi zgjedhor do të vëzhgohet nga përfaqësues të ODIHR-it dhe qindra vëzhgues vendas.