Mbi 6000 të diagnostikuar me COVID-19, aktivë janë 3479

Numri i të diagnostikuarve me Kovid-19 në Maqedoninë e Veriut e tejkaloi 6000, ndërsa edhe më tutje vazhdon trendi i të infektuarve të rinj me numra treshifrorë, si dhe bilanci përditshëm i zi i pacientëve të cilët po e humbin betejën me virusin korona.

Marketing

Që nga fillimi i këtij muaji janë evidentuar 3854 raste pozitive dhe 154 të vdekur. Vetëm katër ditë ishin me më pak se 100 të diagnostikuar – më 1 qershor, 89, më 2 qershor, më qershor 87 dhe 22 qershor 90. Rekordi i të sëmurëve ishte më 13 qershor 194, ndërsa më së shumti të vdekur kishte më 20 qershor – 11.

Më i madh është edhe numri i rasteve aktive se sa nga të shëruarit. Aktivë tani janë 3479, ndërsa nga korona janë shëruar 2315. Deri më tani kanë vdekur 286, prej të cilëve nëntë vetëm gjatë ditës së djeshme. Dje ishin regjistruar 176 të infektuar të rinj, përsëri më së shumti në Shkup 61, i cili tashmë disa javë është vatra më e madhe në vend. Në kryeqytet deri më tani ka 2951 raste të konfirmuara, aktivë janë 1978. Pas Shkupit, më së shumti të infektuar kanë në Tetovë 367, Kumanovë 283, Shtip 176, Ohër 139, Strugë 131 dhe në Resnjë 92.

Pa asnjë të infektuar tani, sipas statistikës së Institutit për Shëndet Publik, janë vetëm Radovishi, Berova, Dellçeva dhe Vinica.