Irani lëshon fletarrestim për Trumpin rreth vrasjes së Soleimanit

Irani ka lëshuar fletarrestim kundër presidentit amerikan, Donald Trump dhe 35 të tjerëve, për shkak të vrasjes së gjeneralit të forcave elite të Gardës Revolucionare Islamike, Qasem Soleimani, përmes një droni më herët gjatë këtij viti.

Marketing

Prokurori i Teheranit, Ali Alqasimehr, ka thënë se Trump dhe të tjerët, që sipas tij kanë përfshirë zyrtarët politikë dhe ushtarë amerikanë në këtë rast, përballen me akuza për “vrasje dhe veprime terroriste”, për shkak të vrasjes së Soleimanit në janar.

Ai ka pretenduar se Irani i ka kërkuar ndihmë Organizatës Ndërkombëtare të Policisë (INTERPOL) për arrestimin e tyre.

Sipas Prokurorit, Irani do të vazhdojë të ndjekë Trumpin edhe pas përfundimit të mandatit presidencial.

Vrasja e Soleimanit afër aeroportit të Bagdadit pati rrezikuar nisjen e një konflikti të drejtpërdrejtë ushtarak mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, pasi Teherani, në shenjë hakmarrjeje, pati nisur sulme me raketa duke shënjestruar forcat amerikane në Irak.

Tensionet në mes të këtyre dy shteteve janë përshkallëzuar prej kur Shtetet e Bashkuara janë larguar nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015, që Teherani ka nënshkruar me fuqitë botërore.

Më vonë, autoritetet amerikane kanë nisur fushatë me presion maksimal, duke dëmtuar rëndë ekonominë iraniane përmes sanksioneve.