Lideri i BDI-së, Ahmeti Ahmeti ka përsëritur se kryeministri shqiptar do të zgjidhet ashtu sikurse u zgjedh edhe kryetari i Parlamentit, Avokati i Popullit, ministri i Policisë, kryetar i Gjykatës Supreme…
“Ne e kemi hedh idenë për kryeministrin shqiptarë që në 2009, në Kongresin e partisë, këtu në Shkup. Që atëherë kemi theksuar se pronarë të njëanshëm nuk ka. Pronarë jemi bashkë, dhe unë nuk mund të jetojë qiraxhi në shtëpinë time. A dolëm me idenë për president konsensual? Kur u zgjodh Ivanovi, atëkohë nuk kishte gatishmëri. Kam folur edhe me Gruevskin dhe Zaevin, asnjëri nuk ishte i gatshëm për president konsensual. Madje, për t’ia hequr dyshimet Zoranit, i kam përmendur dhe emër kandidati. Por, nuk u arrit kandidati konsensual. Pastaj, kur u propozua kandidati konsensual në zgjedhjet e fundit, u zgjodh i njëjti (Pendarovski) sepse e mbështetëm dhe ne. Dhe kurrë nuk i kemi ra pishman për këtë marrëveshje”, informoi Ahmeti në emisionin 200 në Alsat-M.
“Qeveritë janë politike. Arrihet dakordësi për programet që i paraqesin. Bëhet ndarja e përgjegjësive për në ekzekutiv. Ne e vendosim në tavolinë kryeministrin. Dhe kjo çështje negociatash është pas zgjedhjeve, pasi nuk mund të paragjykoj se si do të përfundojnë zgjedhjet. Por, dua t’ju them se hipokrizi nuk bëj me këtë ide, siç akuzojnë se Ali Ahmeti ka dalë me këtë ide për të fituar zgjedhjet. Jo, këtë nuk e bëj. Më 16 korrik do të kemi tabelën e qartë se çfarë do të ndodhë. Ne kemi hyrë me zgjedh kryeministrin shqiptar”, tha Ahmeti, ndërsa ka thënë se beson se kjo do të ndodhë.
“Dikur e pabesueshme ishte të jetë ministri shqiptar i Policisë, ai i Mbrojtjes, i Gjykatës Supreme, ishte e pabesueshme që Avokati i Popullit të jetë shqiptar, kryetari i Parlamentit… Çfarë i ndodhi Maqedonisë me këto kuadro shqiptare? Asgjë e keqe, përkundrazi shkoi në drejtim të duhur drejt reformave dhe anëtarësimin në NATO dhe BE”, u shpreh Ahmeti.