Gjithsej 1.814.263 qytetarë kanë të drejtë vote, premtimet e partive dhe zënkat ,me tempo të përforcuar

Gjithsej 1.814.263 qytetarë kanë të drejtë vote në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të caktuara për më 15 korrik. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) dje e mbylli Listën zgjedhore. Në ndërkohë, fushata vazhdon me tempo edhe më të përforcuar. Gjithnjë e më të zëshme janë premtimet partiake dhe zënkat. Krahas prezantimit të programeve, dominojnë thirrjet për dalje masive, premtohen reforma dhe prosperitet ekonomik.

Marketing

“Koalicioni “Mundemi” i kryesuar nga LSDM-ja mbrëmë nga Struga edhe një herë porositi se vendi është në rrugën e vërtetë dhe se koha e regjimit ka përfunduar. Sipas VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit “Për Maqedoni më të mirë”, është koha për fitore historike dhe për ripërtëritje të shtetit. BDI-ja vazhdon me idenë – kryeministër shqiptar, përderisa koalicioni “Tash është koha” i Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativa paralajmëron ndryshime.

” Të qëndrojmë në rrugën e duhur. Ne kemi dëshmuar se mundemi dhe mund të bëjmë edhe më shumë dhe më mirë. Jo vetëm që i arritëm qëllimet, por ndërtuam edhe miqësi. Sot ne jemi anëtare e NATO-s dhe një vend me një vendim për të filluar negociatat. Të gjitha frontet para nesh janë të hapura dhe te të gjitha sheshet kemi qasje, ndërsa kthimi i regjimit nuk do të ndodhë më. Për 2,5 vitet e kaluara, ne kemi marrë vendime të guximshme, pa llogaritur vlerësimet personale dhe partiake”, tha lideri i LSDM-së Zoran Zaev në Strugë.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickovski nga Kërçova përsëriti se këto nuk janë zgjedhje të zakonshme, por më të ndryshme nga të gjithë të mëparshmet për shkak të KOVID-19, e kjo duhet të jetë motivim për bashkim kundër pushtetit.

“Jam i bindur se pas 15 korrikut edhe ata që nuk besojnë në këtë do të binden se ka mundur më ndryshe, se ka politikanë të cilët e mbajnë fjalën. Pas 15 korrikut politikanët do t’i dëgjojnë qytetarët, ndërsa pastaj përmes projekteve do t’i zgjidhin problemet. Politikanët nuk janë asgjë më shumë nga zyrtarët e zakonshëm të paguar me para të popullit. Përfundoi koha kur politikanët janë elitë në shtet”, theksoi Mickoski.

Askush nuk frikohet nga kryeministri i parë shqiptar, ishte porosia e Ahmetit. BDI-ja doli edhe me kërkesë për debat televiziv, për tu përballur kandidati i tyre për kryeministër, Naser Zyberi, me Zaevin dhe Mickovskin. Qytetarët kanë të drejtë që t’i shohin tre kandidatët për kryeministër në debat televiziv, është arsyetimi i partisë.

“Nga bashkëqytetarët tanë maqedonas më dëshpërojnë pasi menjëherë u trembën shumë nga ideja e kryeministrit shqiptar duke thënë se nuk mund të jetë shqiptar kryeministër i RMV-së. Gjysh, stërgjysh e katragjysh me tapi na kanë lënë këtë vend dhe bashkë me Diellin këtu jemi dhe askush nuk mund të na mohojë një të drejtë legjitime që vetë Zoti na e njeh. Si mund të zgjidhej kryetari i parlamentit shqiptar dhe pikërisht ata thoshin se nuk mund të bëhet, ministri i Mbrojtjes shqiptar, i Punëve të Brendshme shqiptar, Kryetari i Gjykatës Supreme u bë shqiptar dhe asgjë nuk i ndodhi këtij vendi përkundrazi proceset ecin para”, tha Ahmeti në Kumanovë dhe tregoi domosdoshmërinë nga zbatimi i reformave në gjyqësor, si dhe nga vazhdimi i luftës kundër krimit dhe korrupsionit.

Sela që është bartës i listës së koalicionit “Tash është koha” në Njësinë e gjashtë Zgjedhore, bëri thirrje që më 15 korrik qytetarët të votojnë për ndryshim. U bëri thirrje të gjithë shqiptarëve të punësuar në administratë se askush nuk ka të drejtë t’i shantazhojë, t’i kërcënojë ose t’iu bëjë presion për votim.

“Dua të bëj një apel për të gjithë administratorët shqiptarë. Askush nuk ka të drejtë t’ju shantazhojë, kërcënojë e t’ju bëjë presion për t’ua kërkuar votën apo për të marrë pjesë në tubime e aktivitete partiake. Nuk do të ketë nevojë më që t’i përuleni dikujt për ta ruajtur vendin e punës. Ne do ta ruajmë dinjitetin e secilit prej jush. Më 15 Korrik do të marrë fund diskriminimi dhe nënçmimi i administratorëve. Ne nuk do të nxjerrim askënd prej pune, përkundrazi, do të avancojmë e do t’ua japin vendin e merituar në administratën shtetërore”, u shpreh Sela, në takimet me banorët e Debërces, Treboshit, Palaticës, Zhelinës dhe Strumicës.

Programet e tyre i prezantuan edhe partia konservatore maqedonase Integra në takim me qytetarë në Tetovë, si dhe Koncepti maqedonas në takim me qytetarë në Shkup.

Shoqatat e qytetarëve, ndërkohë, u kanë bërë thirrje partive politike që garojnë në zgjedhje të nënshkruajnë një deklaratë për miratimin me përparësi të ligjit për parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi nga përbërja e ardhshme parlamentare. Nismëtarët e deklaratës janë: Rrjeti për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Rrjeti Kombëtar për Luftimin e Homofobisë dhe Transfobisë, Platforma e Barazisë Gjinore, Platforma Maqedonase Kundër Varfërisë, Rrjeti 23, Rrjeti Joformal i Grupit të Organizatave Rome, Grupi Bluprint për reforma në gjyqësor, Platforma e Organizatave të Shoqërisë Civile për Luftën kundër Korrupsionit, Platforma për Qëndrueshmërinë e Shërbimeve të Parandalimit dhe Mbështetjes nga HIV), të cilat së bashku numërojnë më shumë se 100 shoqata.

Fushata vazhdon edhe sot. Kreu i LSDM-së, Zoran Zaev do të japë një deklaratë për mediat këtë mëngjes para Parlamentit, dhe bartësit e listave të VMRO-DPMNE-së do të zhvillojnë takime me qytetarë në disa qytete. Kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski do të vizitojë komunat Dibër, Mavrovë Rostushë, Gostivar dhe Tetovë, bartësi i listës në NJZ 2, Vlado Misajlovski do të japë deklaratë në Vizbeg dhe do të takohet me banorët e Gjorçe Petrovit, bartësi i listës në NJZ 3, Igor Janushev do të ketë takim me banorët e komunës së Shën Nikollës, ndërsa bartësi i listës në NJZ 4, Aleksandar Nikolloski do të ketë një takim me banorët e fshatit Pepelishtë në komunën e Negotinës, si dhe një takim me banorët e fshatit Krivolak.

Karvani i Koalicionit “Asnjëherë e Veriut – Vetëm Maqedoni” do të ketë takime me qytetarët në komunat e Shkupit që i përkasin NJZ 1 dhe 2. Bartësit e listave në NJZ 1 dhe 2, Biljana Xhingo dhe prof. Dr. Jove Kekenovski si dhe kryetarin e Maqedonisë së Bashkuar prof. Dr Janko Bacev do të japë deklarata për mediat përpara shtëpisë përkujtimore të Nënë Terezës.

Konferencë për media paralajmëroi edhe koalicioni “Tash është koha” i Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës.