Shqipëri, nivele të larta të rasteve me Koronavirus e të viktimave

Në Shqipëri, rastet e reja kapën sot një tjetër pikë kulmore, ndërsa viktimat, prej të paktën dy javësh janë të përditshme. Ministria e Shëndetësisë njoftoi sot për 82 të infektuar të zbuluar në 19 qytete të vendit: 30 raste në Tiranë, nga 6 raste në Shkodër, Kavajë, Fushë-Arrëz, 5 në Vlorë, nga 4 raste në Krujë, Durrës, Lushnje, nga 2 raste në Fier, Kurbin, Korçë, Berat, Dibër, Vau i Dejës, dhe nga 1 rast përkatësisht në Elbasan, Lezhë, Has, Pukë dhe Rrogozhinë.

Marketing

Që pas 10 ditëshit të parë të muajit qershor, ritmet e të prekurve kanë qenë të larta, duke arritur në total afro 1400 raste, ose më shumë se sa ishin konstatuar në 3 muajt e parë që nga fillimi i epidemisë.

Po ashtu, dhe numri i viktimave ëshhtë rritur në mënyrë shqetësuese. Vetëm në tre javët e fundit ka patur 34 viktima, nga 69 në total, që prej fillimit të muajit mars. Autoritetet njotuan sot për tre pacientë të tjerë që kanë humbur jetën në spitalin Infektiv të kryeqytetit. Bëhet fjalë për “një 63 vjeçare nga Tirana, një 65 vjeçar nga Tirana dhe një 60 vjeçar nga Elbasani, me disa sëmundje bashkëshoqëruese”.

Në spitalin Infektiv vijon të ketë shtrime të reja. Aktualisht aty po trajtohen 78 pacientë, 9 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 2 janë të intubuar në gjendje të rëndë.

Ministria e Shëndetësisë po përsërit në mënyrë të vazhdueshme thirrjet për respektimin e rregullave të sigurisë. “Çdo qytetar, duhet të tregojë kujdes të shtuar në çdo ambient, në ambientet e punës apo ku ofrohen shërbime, për të respektuar masat e higjienës, distancës fizike, shmangien e kontakteve dhe apelon për vendosjen e maskës, kur nuk është e mundur të ruhet distancë”, u shpreh sot Rovena Daja e Institutit të Shëndetit Publik. Por qartazi, këto thirrje duket se po bien në vesh të shurdhër.