Vazhdojnë tubimet e qytetarëve në Beograd dhe disa qytete të tjera të Serbisë

Pavarësisht ndalimit të tubimeve të mëdha në Serbi, si masë për frenimin e përhapjes së koronavirusit, protestuesit janë mbledhur për të tretën natë me radhë para ndërtesës së kuvendit në Beograd.

Marketing

Shumica e tyre qëndrojnë ulur në trotuarin jashtë kuvendit, për t’u dalluar nga ata që mund të bëjnë veprime të dhunshme.

Protestat në Beograd kanë nisur të martën, pas paralajmërimeve të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se mund të vendosë orë policore në fundjavë, për shkak të rritjes së numrit të rasteve me koronavirus.

Protestat janë shndërruar në dhunë, pasi një numër i pjesëmarrësve ka bërë përpjekje të hyjë në Kuvendin e Serbisë.

Në protestat e dy netëve të kaluar, policia ka përdorur gaz lotsjellës për shpërndarjen e turmave.

Disa organizata joqeveritare e kanë akuzuar atë për përdorim të tepruar të dhunës kundër protestuesve, gjë që është mohuar nga drejtori i policisë, Vlladimir Rebiq.

Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë raporton për tubime të njerëzve edhe në qytete të tjera të Serbisë, përfshirë Nishin, Valevën, Suboticën dhe Krushevcin.

Qytetarët, si shkak për protesta, kanë përmendur “pakënaqësinë”, jo vetëm për shkak të masave epidemiologjike, por edhe për shkak të Partisë Përparimtare Serbe, që mban pushtetin, dhe të dhunës së policisë në protestën e parë.

Të enjten, shtabi i krizës së koronavirusit në Serbi ka shpallur disa masa të reja për frenimin e përhapjes së koronavirusit, por ka thënë se nuk do të zbatojë orën policore.

Kryeministrja Ana Bërnabiq ka thënë se tubimi i më shumë se dhjetë njerëzve në publik, do të ndalohet në Beograd, si në ambiente të mbyllura, ashtu edhe të jashtme.

Masat e tjera përfshijnë ruajtjen e distancës fizike dhe ndalimin e punës në objekte të mbyllura nga ora 21:00 deri në orën 06:00.

Ambientet e hapura, si parqet, do të mbyllen nga ora 23:00 deri në orën 06:00.

Bërnabiq ka thënë se këto masa vlejnë vetëm për Beogradin, ku situata me koronavirus është më kritike.

Serbia është në mesin e vendeve më të prekura nga koronavirusi në Ballkanin Perëndimor, me mbi 17,000 të infektuar dhe 341 viktima.