Pendarovski: Srebrenica, kujtim i një virusi të rrezikshëm të intolerancës ndaj të ndryshmëve

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski në një video-mesazh në përkujtimin e sotëm me rastin e 25-vjetorit të gjenocidit të Srebrenicës tha se ngjarjet e korrikut të vitit 1995 janë një kujtim i një virusi të rrezikshëm të intolerancës ndaj të ndryshmëve, raporton Anadolu Agency (AA).

Marketing

“Përpara 25 vitesh ndodhi gjenocidi në Srebrenicë, kur më shumë se 8.000 njerëz, kryesisht burra dhe djem, u vranë sistematikisht vetëm sepse ata ishin boshnjakë. Kjo është pa dyshim një nga ngjarjet më të errëta në historinë moderne evropiane për të cilën nuk ka asnjë arsyetim racional. Disa nga kriminelët tashmë janë përballur me drejtësinë përpara Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Disa nga të mbijetuarit mblodhën guximin për të parë në sytë e ekzekutuesve të tyre dhe për të falur ata që u penduan për krimet e tyre. Por, shumë njerëz akoma jetojnë me trauma të tmerrshme, duke shtuar këtu edhe mohimin dhe relativizimin e së vërtetës për krimet”, tha Pendarovski dhe vazhdoi:

“Qendra memoriale dhe nënat e Srebrenicës me mesazh të qartë na ballafaqojnë me të kaluarën kolektive dhe ndërgjegjen e gjeneratës sonë. Ata nuk nxisin urrejtje dhe as kërkojnë hakmarrje, sepse kjo thellon padrejtësinë. Ata kërkojnë të vërtetën dhe drejtësinë vetëm si parakusht për paqen”.

Pendarosvki theksoi se historia, jo vetëm në Ballkan, na mëson se idetë rreth territoreve të pastra etnike gjithmonë çojnë në tragjedi dhe se luftërat e fundit ballkanike kanë treguar se gjenocidi mund të përsëritet edhe pas holokaustit.

“Nëse një gjeneratë nuk flet, gjenerata tjetër do të harrojë, gjë që krijon tokë pjellore për konflikte të reja. Përveç kujtimeve, alternativat bëhen përmes edukimit që promovon solidaritetin dhe dhembshurinë për të tjerët. Duke respektuar dinjitetin e lindur të secilit person, uniteti i diversitetit mbrohet nga mekanizmat që luftojnë padrejtësinë sistemike. 25-vjetori i gjenocidit të Srebrenicës vjen në një kohë të pandemisë së COVID-19, e cila po vret mijëra njerëz në të gjithë botën çdo ditë”, tha Pendarovski duke shtuar se:

“Srebrenica është një kujtim i një virusi të rrezikshëm të intolerance ndaj të ndryshmëve. Të ndërtojmë shoqëri në të cilat do të ketë vende për secilin nga ne, të ndërtojmë një shtëpi ku ne mund të pranojmë njëri-tjetrin pavarësisht nga dallimet tona, sepse ne të gjithë jemi qenie njerëzore”.

Kujtojmë se më shumë se 8.000 meshkuj muslimanë boshnjakë u vranë pasi forcat serbe sulmuan “zonën e sigurt” të Srebrenicës në korrik të vitit 1995, pavarësisht pranisë së trupave holandeze të ngarkuara për të vepruar si paqeruajtës ndërkombëtarë.