ASh-AAA vizitojnë tregun me shumicë në Shkup

Sot, në mëngjes koalicioni “Tash është koha” vizitoi tregun me shumicë në Shkup, për të parë nga afër kushtet e punës së tregtarëve me shumicë të produkteve bujqësore duke dëgjuar brengat e tyre rreth plasimit tyre në treg. Dolëm nga aty të zhgënjyer thellë nga mungesa e përkrahjes shtetërore për këta profesionistë që mbajnë një nga sektorët kyç të ekonomisë së vendit.

Marketing

Koalicioni Aleanca për Shqiptarët & AlternAtivA do të përkushtohet për zbatimin e një vizioni afatgjatë për zhvillim të bujqësisë duke identifikuar kapacitetet prodhuese dhe potencialin për prodhim të ushqimit. Do të sigurojmë një planifikim buxhetor në mënyrë më të drejtë dhe adekuate dhe rritjen e punësimit dhe aktivitetit ekonomik në sektorin e bujqësisë, ne agrobiznes dhe agro-përpunim, në pylltari, në turizmin rural, duke synuar rritjen e prodhimit vendor dhe të aftësisë për të eksportuar prodhime ushqimore të cilësisë së lartë.

Në këtë takim u theksua se tash është koha për trajtim adekuat të tregtarëve, ndërkaq nga afër edhe tregtarët u njoftuan për masat që ASh – AAA do të ndërmerr në këtë drejtim.

Hapja e zyrave lokale të Ministrisë së Bujqësisë në komunat rurale për një shërbim më të afërt me nevojat e bujqve, hapja e agro-zyrave, të cilat do të ofrojnë shërbime për trajnimin e bujqve, hulumtimin e tregut të produkteve bujqësore dhe ndihmën ndaj bujqve për aplikim në fondet IPARD dhe në fondet vendore, investimi në infrastrukturë për mbështetjen e aktiviteteve bujqësore, që do të përfshijnë ngritjen e kapaciteteve përpunuese, krijimin e pikave grumbulluese dhe depove për ruajtjen e prodhimeve, ulja e TVSH-së për farat, pesticidet dhe plehrat që përdoren në bujqësi janë një pjesë e këtyre masave që do të bëhen realitet vetëm pas ardhjes së koalicionit ASh-AAA në pushtet.

Koalicioni “Tash është koha” është garantë e vetme për kthimin e dinjitetit dhe shkëlqimit profesionit më fisnik që ekziston.