Ish ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Shqipërisë, Edmond Panariti dhe në prononcim për gazetën “KOHA” thotë se shqiptarët janë kombësi shtetformuesëe në Maqedoninë e Veriut, për këtë arsye e drejta e tyre për të pasur kandidatë për krerët e shtetit dhe të qeverisë është e padiskutueshme.
“Shqiptarët drejtojnë Kuvendin e Maqedonisë së Veriut dhe mbajnë poste të rëndësishme në qeverinë e vendit. Është koha për hapin e madh, që shqiptarët të marrin drejtimin e qeverisë. Këtu padyshim kërkohet kohezion dhe konvergjencë qëndrimi nga forcat politike shqiptare. Është një arritje që kjo artikulohet si objektiv nga forcat politike dhe posaçërisht nga zoti Ahmeti, apo nga çdo politikan tjetër shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Nuk është e dobishme që objektiva dhe ambicie të tilla të shihen me dyshim apo si manovra taktike nga shqiptarët. Sigurisht do të jetë në fund të fundit pesha politike e faktorit shqiptar ajo që do të vendosë se sa i mundur është ky objektiv, por shqiptarët duhet ta synojnë patjetër atë”, deklaroi Edmond Panariti, ish shef i diplomacisë shqiptare.