A.Gj. ka paguar 120 euro në një laborator privat në Prishtinë për të bërë një test përmes së cilit ai ishte i interesuar që ta kuptonte nëse është i prekur nga COVID-19, sëmundja që e shkakton koronavirusi i ri.
Atij i duhej një rezultat negativ i PCR testit, në mënyrë që të mund të udhëtonte jashtë vendit.
Për këtë arsye A.Gj. vendosi të paguante 120 euro për të kryer këtë test që aktualisht bëhet vetëm në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK).
Pasi kishte caktuar terminin, A.GJ., thotë se kishte shkuar në laboratorin në Prishtinë ku i ishte marrë mostra përmes shtrisos në hundë.
Siç ishte njoftuar nga punëtorët e laboratorit, mostra ishte dërguar për testim në Maqedoni të Veriut.
“Para një jave e kam bërë testin. Mostrat i dërgojnë në Maqedoni (v.j. të Veriut), pastaj rezultatet t’i japin në Prishtinë në gjuhën maqedonase. Por, testi ish i pranueshëm në kufi”, thotë A.GJ për Radion Evropa e Lirë.
Sipas vendimit institucioneve të Kosovës, testimi me metodën PCR për koronavirus në Kosovë mund të bëhet vetëm në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK).
Por A.Gj., pikërisht këtë test thotë se e ka arritur ta bëjë përmes një laboratori në Prishtinë.
“Në hundë ma kanë marrë (mostrën), se me gjak thanë se nuk më lëshojnë vërtetim. Pa letra mua nuk më duhej asgjë. Mua më duhej për ta kaluar kufirin”.
A.Gj kishte udhëtuar drejt Malit të Zi dhe nuk kishte pasur asnjë problem në kalimin e kufirit.
Nëpër grupe të ndryshme në rrjetin social Facebook, qytetarët vazhdimisht kanë kërkuar rekomandime për institucionet që kryejnë testime me metodën PCR.
Ditëve të kaluara shumë persona kanë shkruar publikisht se kishin kryer teste të tilla në laboratorë privatë.
Mirëpo, një numër i madh i komentueseve kanë rrëfyer se si kishin paguar nga 50 deri në 120 euro për teste, me të cilat nuk janë lejuar të kalojnë kufirin meMaqedoninë e Veriut e as me Malin e Zi.
Laboratorët privatë do të lejohen që të kryejnë vetëm teste serologjike mirëpo jo edhe PCR [Polymerase Chain Reaction], i cili përcakton nëse virusi është aktiv në trupin e njeriut.
Kurse testet serologjike, janë ato teste në bazë të të cilave mund të vërtetohet nëse një person e ka pasur koronavirusin. Për dallim nga testet që i ka bërë Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike deri tash me strisho, të hundës ose gojës, testi serologjik bëhet përmes mostrave të gjakut.