Reperi miliarder Kanye West i cili shpalli kandidaturën në garën presidenciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës 2020, nuk ka votuar kurrë në jetën e tij.
Sipas intervistës së tij të fundit me Forbes, West u regjistrua për të votuar për herë të parë të hënën. Ai tha që po regjistrohej për herë të parë sepse ishte i frikësuar.
“Arsyeja pse kjo është dita e parë që u regjistrova për të votuar është sepse isha i frikësuar”, tha West në përgjigjen e tij në një pyetje për demokratët të cilët ai akuzoi se e kishin kërcënuar.
“Më thanë që nëse do të votoja Trump, karriera ime muzikore do të merrte fund. Më kërcënuan se isha në një parti. Unë u kërcënova si një njeri i famshëm që ishte në një parti. Unë u kërcënova si njeri me ngjyrë në partinë Demokratike. Dhe kjo është ajo që po bëjnë demokratët, emocionalisht, për popullin tim. Kërcënimi i tyre deri në pikën kur ky njeri i bardhë mund t’i thotë një burri me ngjyrë nëse nuk voton për mua, nuk jeni i zi”, tha West duke iu referuar Joe Biden i cili në maj tha se Afrikano-Amerikanët ‘nuk janë të zi’ nëse ata madje konsideronin të votonin për Presidentin Donald Trump dhe jo atë, gjatë një interviste me Charlamagne Tha God.
Edhe pse kjo nuk është hera e parë që 43-vjeçari do të bënte të njohur qëllimin e tij për t’u bërë president, ai, megjithatë, nuk ka hartuar planet e tij.
“Unë duhet të them me gjithë përulësi se si një njeri, nuk i kam të gjitha pjesët e enigmës,” i tha West.
Ai gjithashtu nuk e ka kuptuar se cila do të ishte politika e tij e jashtme. “Unë nuk e kam zhvilluar akoma. Unë jam i përqendruar në mbrojtjen e Amerikës, së pari, me ushtrinë tonë të madhe. Le të përqendrohemi në vetveten së pari”, tha West.
Përkundër zhvillimit të një politike, reperi në të vërtetë preferon fjalën “dizajn”.
“Nuk e di nëse do ta përdorja fjalën politikë për mënyrën se si do t’u afrohesha gjërave. Unë nuk kisha një politikë kur shkova në Nike dhe dizajnova linjën Yeezy. Nuk ishte një politikë, ishte një model. Ne duhet të përtërijmë modelin për të qenë në gjendje të çlirojmë mendjen në këtë kohë”.
Sa i përket taksave, ai pranoi se ende nuk ka bërë hulumtime të mjaftueshme për këtë. Reperi përsëri premton se do ta bëjë atë me “ekspertët më të fortë që i shërbejnë Zotit dhe gjithnjë gjejnë zgjidhjen më të mirë.”