Kandidati për kryeministër nga radhët e BDIsë, Naser Ziberi para gazetarëve në selinë e partisë ka deklaruar se shënojnë fitore bindëse në shumë vendvotime të vendit.
“Rezultatet, jozyrtare kuptohet flasin për fitore bindëse në gjitha vendvotimet nga pjesa më jugore e Resnjës, Manastir, Strugë, Dibër duke përfunduar në Llojan në veri. Presim rezultate zyrtare nga KSHZ dhe ato rezultate të shndërrohen në mandate, pasi mandatet do të konfirmohen në bazë të shkallës së votimit”, ka thënë Ziberi.
Ai ka theksuar se nuk dëshiron të spekulojë me numrat e mandateve me faktin se KSHZ ka probleme rreth shpalljes së informacioneve. Njëherësh nuk ka dashur të vlerësojë se sa është e pranueshme oferta e BDI-së për koalicionim te partitë tjera nga blloku shqiptar.
“Nuk mund të spekuloj se si do të jetë qëndrimi i partive tjera politike, qëndrimi jonë është i qartë se ne duam të ndërtojmë shoqëri për të gjithë, ndërsa unë konsideroj se jam personi adekuat për atë shoqëri ku secili qytetar do të ketë mundësi të barabarta për përparim dhe shoqëri ku secili do të ndjehet si në shtëpinë e vet. Më lejoni që disa qëndrime t’i japë kryetari i partisë, Ali Ahmeti, unë i dhashë këto që konsideroj se janë në kompetenca të mia. Megjithatë negociatat do t’i udhëheq Ahmeti”, ka thënë Ziberi.